"Guri i rëndë në vend të vet, unë akoma jam kavajase", Parashqevia në Sofrën e Kavajës kur u nderua qytetare nderi

Elton Ilirjani ka publikuar një video të Parashqevi Simakut gjatë Sofrës së Kavajës, ku këngëtarja u nderua me titullin Qytetar Nderi i Kavajës.
Ai gjatë videos tha: “Parashqevi Simaku është gjithmonë kënaqësi të të kem pranë. Sonte është një ditë e veçantë sepse është Sofra e Kavajës dhe kavajasit e tu duan që ti t’u japësh një përshëndetje”.
Në fjalën e saj, Parashqevia tha: “Është bërë gati një vit që kur dëgjova Fisnik Qosjen, një djalë aq i hijshëm, si zog i trembur, mori Elton Ilirjanin dhe i tha: ‘Çfarë më të bëj për Parashqevinë të lutem, më thuaj!’ Edhe më ka ngelur në shpirt, se gjithë këtë kohë që jam rikuperuar nga gjithë këto ngjarje që ndodhën, dua ta falënderoj për këtë nder të madh që më ka bërë sonte.

Fisnik Qosja, të falënderoj me gjithë shpirtin që më dhe mundësinë që të tregoj që jam kavajëse, sepse mund ta nxjerrësh Parashqevinë nga Kavaja, por nuk e nxjerr dot Kavajën nga Parashqevia. Jam me ju me gjithë zemër, me gjithë shpirt”.
Ajo kujtoi se ka nisur të këndojë që në fëmijëri, duke u mësuar nga gjyshërit dhe daja i saj, dhe më pas u prezantua për herë të parë me maestron e madh Rexhep Asimin, përmes të cilit mësoi të ruajë traditën muzikore të Kavajës, të cilën e konsideron fisnike dhe me rrënjë të thella.
Parashqevia theksoi edhe mësuesit e saj fisnikë, si Terezina Levi, dhe provat që bënte me ta, si dhe mbështetjen që ka marrë gjatë karrierës. “Edhe pse kam kënduar kudo në Shqipëri dhe botë, thelbi im mbetet shpirti dhe tradita e Kavajës, të cilën e përfaqësoj me thjeshtësi dhe përkushtim”, tha ajo.
Parashqevia përfundoi: “Guri i rëndë në vend të vet, themi ne. Kështu që unë akoma jam kavajësja, pavarësisht se kam kënduar kudo, në Shqipëri, në botë edhe këtu. Gjithmonë kudo që shkoj e përfaqësoj Kavajën me atë thjeshtësi, me atë ndershmërinë, me atë kënaqësinë që i ka dhënë kënga popullore të gjithë shqiptarëve. Kështu që i qofsha falë, si të them, djepit që më ka lindur e rritur kavajëse”. /Telegrafi/
- YouTube www.youtube.com





























































