LAJMI I FUNDIT:

“The Guardian” shkruan për novelën e kosovarit Pajtim Statovci

“The Guardian” shkruan për novelën e kosovarit Pajtim Statovci

Pajtim Statovci ka lindur në Kosovë në vitin 1990, ndërsa familja e tij kishte emigruar në Finlandë në kohën kur kishte nisur gjenocidi në Bosnje dhe më vonë edhe në Kosovë. Kështu nis shkrimi nga Kapka Kassabova në prestigjiozen “The Guardian”, për novelën e tij të fundit që në finlandisht titullohet “Tiranan sydän” ose në shqip “Zemra e Tiranës” ose i përkthyer në anglisht si “Crossing”.

Njëjtë si kjo, ashtu edhe novela e tij e parë “My Cat Yugoslavia” janë vlerësuar lartë edhe me çmime në Finlandë.


Novela e tij “Crossing” ka në qendër Shqipërinë dhe dy personazhet Bujarin e Agimin, të cilët janë rritur në fund të viteve të diktaturës së egër të Enver Hoxhës.

“Ndërsa Shqipëria post-komuniste rrëshqet në kolaps social, me fëmijët që shiten si skllavër për t’iu marrë organet dhe për prostitucion, dy djem mendojnë se ‘jetuan në burgun më të madh të Evropës’. I vetmi ngushëllim është të pinë duhan pa pushim, ose të rrezikojnë jetën e tyre duke emigruar ilegalisht në Greqi apo Itali”, shkruan Kassabova.

Ëndrra e dy personazheve është Evropa dhe pasi shitën cigare për një vit ata arritën të blenë një varkë dhe nisën udhëtimin e tyre në Adriatik.

“Bujari” detyrohet të nisë çdo herë nga zero jetën e tij sa herë ndryshon vend dhe Kassabova shkruan se kjo është historia e çdo refugjati që kanë lënë vendet e tyre për një jetë më të mirë. /KP/