LAJMI I FUNDIT:

Gruaja, viktimë e dhunës famijare, kërkon drejtësi

Gruaja, viktimë e dhunës famijare, kërkon drejtësi

Një viktimë e dhunës në familje, nënë e dy vajzave, ka mbetur vetëm përballë sfidave të jetës.

Tetë muaj pasi është ndarë nga burri i saj, L.K. viktimë e dhunës në familje është duke u përballur me sfida të mëdha jetësore.


Në një rrëfim për KALLXO.com viktima është ankuar se ndarja e pasurisë së përbashkët pret vendimin e gjykatës për më shumë se 8 muaj, ndërsa pagesat e alimentacionit nuk mjaftojnë për ushqimin e dy vajzave.

Me një vendim të saj Gjykata e Prishtinës ka caktuar që nëna e dy vajzave të marrë një alimentacion prej 400 eurosh nga burri i saj një biznesmen i kryeqytetit.

“Ish-bashkëshorti është pronar i një biznesi këtu në Prishtinë, dhe në një farë mënyrë mua më ka bërë që të jem e varur prej tij pasi që unë nuk punoj, ndërsa ai tërë pasurinë e vet e ka bartur në emër të babait të tij”, ka thënë viktima L.K.

Viktima është ankuar se alimentacioni prej 400 eurove nuk është në proporcion me të hyrat që i ka burri i saj.

Në shkurt të këtij viti Gjykata Themelore në Prishtinë në bazë të kërkesës për urdhër mbrojtjeje nga pala e mbrojtur L.K, kishte caktuar seancën dëgjimore dhe pas dëgjimit të palëve kishte marrë aktvendim me të cilin kishte aprovuar kërkesën për urdhër mbrojtjeje të palës së mbrojtur L.K.

Kjo e fundit në paraqitjen e saj para gjykatës ishte ankuar se ish- burri po e kërcënonte që ta largonte nga shtëpia. Për ta ndaluar largimin, gjykata kishte vendosur urdhrin mbrojtës, i cili në këtë rast ishte i pavlefshëm për shkak se shtëpia ishte në emër të babait të ish-burrit.

Përpos shtëpisë dhe alimentacionit të vogël, viktima përballet edhe me mungesën e vendimmarrjes së gjykatës.

Një lëndë e dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Dega në Graçanicë nga marsi 2017 nuk ka marrë epilog përfundimtar.

I kontaktuar nga KALLXO.com ish-bashkëshorti i viktimës ka thënë se mohon në tërësi të ketë ushtruar dhunë psikike apo fizike në ish-bashkëshorten dhe se asgjë nuk është e vërtetë.

“Çka pretendon ajo, ato sende nuk jon ba, ato e din edhe ajo vetë. Kurrfarë fakti, kurrfarë lidhje me dhunë psikike apo fizike nuk ka pasë”, tha ish-bashkëshorti.

KALLXO.com kishte shkruar edhe për një viktimë tjetër të dhunës në familje së cilës nuk i ishte paguar as ushqimi për fëmijën.