LAJMI I FUNDIT:

Gruaja e biznesmenit Bedri Rexhepi: Nuk e kisha menduar asnjëherë se Bedriu mund të vdes nga duart e Jetonit

Gruaja e biznesmenit Bedri Rexhepi: Nuk e kisha menduar asnjëherë se Bedriu mund të vdes nga duart e Jetonit
Foto nga arkivi

Në gjykimin për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi, gruaja e tij Dardane Shyti ka deklaruar se nuk e kishte menduar asnjëherë se Bedriu mund të vdes nga duart e Jetonit,  pasiqë sipas saj, i ndjeri kishte pasur shumë besim tek ai, aq sa për të ndarë me të ushqimin, hallet e sëmundjet.

Një deklarim të tillë e dëmtuara Shyti e ka bërë në cilësi të dëshmitares, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit të shtetit Armend Hamiti.


“Asnjëherë të vetme se kom mendu që Bedriu mund të vdes nga duart e Jetonit. Për arsye se muj me thanë edhe ushqimin u mundu nashta me hek prej sofrës së vet edhe me ja dhanë Jetonit. Ka pas shumë besim te aj sa që edhe sëmundjet hallet, që e kanë karakterizu ja ka tregu Jetonit”, ka thënë Shyti.

Sipas saj marrëdhënia mes tyre ka qenë shumë e mirë dhe e shëndoshë dhe se i ndjeri Rexhepi gjithmonë është munduar që ta ndihmojë të akuzuarin Jeton.

Lidhur me ditën kritike të 8 prillit të vitit 2021, e dëmtuara Dardane tha se ishte një ditë e zakonshme, ku në orën 15 pasdite i ndjeri Bedri kishte shkuar në banesë dhe i kishte thënë të dëmtuarës/gruas së tij se ka një shqetësim por që e njëjta kishte aluduar se ishte si pasojë e problemeve që kishte i njëjti me shëndetin.

Tutje ka sqaruar se i ndjeri pak para se të dilte nga banesa i ka treguar se, tani i akuzuari Jeton i ka ofruar dy automjete në këmbim të borxhit me çmime të volitshme dhe se po shkonte të i marr ato, andaj sipas saj, i ndjeri Bedri Rexhepi i ka marrë me vete mjetet financiare që kanë qenë në banesë dhe është nisur të takojë Jetonin në Ferizaj.

Pasi që i njëjti është larguar nga banesa, e dëmtuara Shyti ka thënë se nuk e ka kontaktuar deri në orën 21:00 të natës me qëllim që të mos e pengojë, ndërsa pasi që e ka kontaktuar disa herë ka rezultuar se telefonin e ka të shkyçur, mirëpo është munduar që të mos shqetësoj asnjë familjar deri të nesërmen  me shpresën që i ndjeri Bedri Rexhepi do kthehej në shtëpi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

"O qen, na ke djegë tanë jetën", tensione në gjykimin e vëllezërve Vllasaliu, të akuzuar për vrasjen e Bedri Rexhepit
Lexo po ashtu "O qen, na ke djegë tanë jetën", tensione në gjykimin e vëllezërve Vllasaliu, të akuzuar për vrasjen e Bedri Rexhepit

E njëjta ka deklaruar se nuk ka kaluar shumë kohë dhe ajo është lajmëruar  nga familjarët se është gjetur automjeti i të ndjerit Bedri Rexhepi në afërsi të Janjevës.

Shyti deklaroi se “më kanë lëshu kamt” në ato momente, mirëpo është munduar të qëtësoj veten në mënyrë që të mos i lëndoj edhe familjarët tjerë si nëna e babai i të ndjerit Rexhepi.

Pas kësaj e njëjta ka deklaruar se është kontaktuar nga Durimi- ndihmësi i Bedriut i cili është marrë me biznesin e tij,  dhe se i njëjti i ka thënë të dëmtuarës Shyti se është me Jetonin dhe janë duke shkuar të kërkojnë Bedriun në Drenicë për arsye se sipas tij Bedriu me 8 prill rreth orës 8 e 30 minuta është takuar me një klient për blerje të automjeteve.

Tutje ka shtuar se në atë bisedë ka ndërhyrë i akuzuari Jeton duke thënë se Bedriun e ka pas shok, vëlla dhe ka qenë djalë i mirë.

“Gjatë kësaj bisede ndërhyn i akuzuari Jeton në muhabet dhe më thotë “Dardanë motra jem,  Bedriun e kem pas shok, vëlla, u kon djalë i mirë “ dhe në momentin kur këto fjalë tingëlluan në veshin tim në kohën e shkuar, ajo parandjenja ishte që Bedriut ka mujt me i ndodh dicka”, deklaroi e dëmtuara Shyti.

Pas deklarimeve të tilla, është vazhduar me parashtrimin e pyetjeve nga ana e avokatit Besnik Berisha si përfaqësues i autorizuar i palës së dëmtuar.

Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Berisha, e dëmtuara Shyti ka thënë se gjatë bisedës së lartë cekur ajo ka kuptuar se Jetoni i ka pasur borxh Bedriut në shumë prej përafërsisht 2 mijë e 500 euro dhe se Jetoni gjatë asaj bisede ka thënë se ato para ia ka dhënë mbrëmë Bedriut dhe janë barazuar.

Avokati Berisha ka kërkuar të dij nga e dëmtuara  nëse ka ekzistuar ndonjë relacion biznesi mes të akuzuarit Jeton dhe Bedriut në çfarëdo forme.

E dëmtuara ka deklaruar se po ka ekzistuar një relacion i tillë pasi që për një periudhë të gjatë kohore për 2 apo 3 vite, i akuzuari Jeton ka pasur në shfrytëzim një automjet të tyre.

Ajo ka thënë se i akuzuari Jeton përpos që ka qenë në dijeni për hallet e sëmundjet e Bedriut ka qenë i informuar edhe për gjendjen e tij financiare pasi që një herë i ka ofruar të njëjtit blerjen e një toke në Novobërdë.

Gjithashtu ka shtuar se në ditën kritike i ndjeri Bedri ka pasur me vete 8 mijë e 20 euro, të cilat para nuk i janë kthyer asnjëherë familjes.

Gjatë përgjigjes në pyetjet e ushtruara nga avokati Berisha, e dëmtuara Shyti ka thënë se ka gjetur një letër në sendet personale të Bedriut në të cilën ishin shkruar dy makina të cilat ka kuptuar  se janë propozuar nga Jetoni për blerje nga Bedriu e për të cilat i ndjeri kishte dalur nga shtëpia me 8 mijë euro me vete.

Letër të cilën e njëjta e ka dorëzuar pastaj tek familjarët dhe në Prokurori.

Tutje e njëjta duke u përgjigjur në pyetjen e anëtarit të trupi gjykues gjyqtari Agim Kuqi lidhur me atë se sa do të mund t’i rezistonte Bedriu një sulmi fizik eventual nga kushdo çoftë bazuar në atë se i njëjti kishte probleme shëndetësore, Shyti tha se sipas vlerësimin të saj Bedriu do mund të rezistonte pasiqë ka qenë plotë jetë, i fuqishëm e shtatlartë.

Ndërkaq, në pyetjen e gjyqtarit Ngadhnjim Arrni lidhur me atë se a ka pasur i ndjeri Bedri ndonjë relacion me të akuzuarin tjeter Nexhat Vllasaliu, e dëmtuara ka thënë se Bedriu nuk e ka përmend asnjëherë të njëjtin.

Më pas, seanca ka vazhduar edhe me dëgjimin e vëllezërve të të ndjerit Rexhepi, Vedat dhe Adnan Rexhepi, si dhe motrës së tij, Teuta Reexhepi.

Të njëjtit kanë deklaruar se qëndrojnë pranë deklaratave të tyre të dhëna gjatë fazës hetimore.

Po ashtu, ata deklaruan se asnjëherë nuk kanë dëgjuar se tani i ndjeri Bedri Rexhepi të ketë pasur probleme me dikë.

Ndër të tjera, Vedat Rexhepi ka thënë se një ditë pas ditë ditës kritike është lajmëruar nga vëllau i vogël Adnani se vetura e të ndjerit Bedri Rexhepi është gjetur diku në “arat” e Janjevës, e që më pas kishte shkuar tek vendi i ngjarjes.

“Është gjet saktësisht në ara, jo në rrugë kryesore”, ka shtuar Vedati në lidhje me vendndodhjen e veturës, duke sqaruar se i bie 700 apo 800 metra larg nga pjesa e asfaltuar.

Ndërkaq, tha se për fatin e vëllaut të tij, tani të ndjerit Bedri Rexhepi që nga ajo ditë nuk kanë ditur asgjë për 18 muaj, e që sipas tij saktësisht deri me 30 shtator të vitit 2022.

Gjithashtu, avokati Berisha e ka pyetur Adnanin edhe se a ka dijeni se kush e ka dërguar veturën në ato “ara”.

“Aq sa kemi kuptu është Jeton Vllasaliu, i cili është në ndihmë me vllaun e vet Nexhat Vllasaliu, domethënë  Jetoni e qon veturën, Nexhati e merr Jetonin në rrugë”, është përgjigjur ai.

Gjithashtu edhe motra e të ndjerit Bedri Rexhepi, Teuta Rexhepi ka thënë se një ditë pas ditës kritike është njoftuar nga vëllau i vogël se është gjetur vetura e Bedri Rexhepit, kurse ai jo.

“Me datën 9, vëllau i vogël më ka telefonu dhe më ka thënë të kthehem nga Brezovica, sepse Bedriun nuk po e gjeJmë, kemi gjetur vetëm veturën. Unë jam kthyer në stacionin policor në Lipjan, aty ku edhe është hap rasti”, ka sqaruar ajo.

Ndërsa, vëllau tjetër i të ndjerit Bedri Rexhepi, Adnani tha se me Bedri Rexhepin për herë të fundit është takuar fizikisht 3 ditë para ndodhjes së rastit.

Ai tha se pasi është njoftuar se ku është gjetur vetura e të ndjerit Bedri Rexhepi, ka shkuar së bashku me vëllaun e tij Vedatin tek vendi i ngjarjes, për të vazhduar më pas në stacionin e Policisë në Lipjan.

Sipas tij, në atë stacion kishin shkuar me vonë edhe bashkëpunëtori i të ndjerit Bedri Rexhepi, Durim Krajkova si dhe i akuzuari Jeton.

Tutje, ai tha se pasi ishte takuar me Durimin në stacionin policor, i njëjti i kishte thënë se i ndjeri Bedri Rexhepi nuk ka pasur asnjë problem e as telashe me askënd.

“Dhe une e pyeta se çka po ta merr menja për rastin e Bedriut, Durimi më tha sipas info që ka fol me Dardanën kontakti i fundit i Bedriut ka qenë me Jetonin”, ka sqaruar ai në lidhje me bisedën e tij me Durimin.

Ndërkaq, tha se gjatë kthimit për në Prishtinë nga stacioni policor, i akuzuari Jeton i kishte thënë Durimit përmes telefonit se “Bedriu do të gjindet gjallë, por shoqëria do të humb”.

“Kjo ka ndodhur pasi është gjetur vetura dhe pasi që kanë përfunduar deklaratat e para në stacionin e policisë, saktësisht diku rreth orës 12 të natës”, ka shtuar tutje Adnani.

Tutje, i njëjti tha se bindja se i akuzuari Jeton është i përfshirë në këtë rast u ishte shtuar edhe më shumë kur kishin marrë informata përmes telefonit se ishin shkruar disa SMS nga telefoni i të ndjerit Bedri Rexhepi.

Ndërkaq, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Medie Bytyqi i ka tërhequr vërejtjen mbrojtësit të të akuzuarit Jeton, avokatit Ndrec Dodaj, duke kërkuar nga i njëjti që mos komentoj, apo debatoj me përfaqësuesin e palës së dëmtuar, por ta respektoj gjykatën.

Krejt në fund, dëshmitari Adnan është pyetur nga mbrojtësi i të akuzuarit Nexhat Vllasaliu se a e ka njohur të mbrojturin e tij para se lënda të procedohet në gjykatë.

Ndërsa, dëshmitari Adnan tha se personalisht nuk e ka njohur e as takuar atë.

“Unë personalisht nuk e kam njohur dhe as takuar mirëpo, e kam dëgju këtë emër prej vëllaut që e ka përmend”, duke shtuar se nuk e ka përmendur në asnjë kontekst tjetër, përveç se punon me ndërtime.

Krejt në fund, gjykatësja Bytyqi ka konstatuar se meqenëse nuk ka kushte për vazhdim të mëtutjeshëm, si dhe orari i punës veçse është kaluar, seanca do të vazhdojë në ditën që veçse ka qenë e caktuar më herët, 10 maj 2023.

Jeton dhe Nexhat Vllasaliu ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e 14 nëntorit 2022.

Ndryshe, seanca fillestare për këtë rast e paraparë të mbahej më 25 tetor të viti 2022 ishte shtyrë me kërkesë të mbrojtjes. Ata kishin kërkuar këtë shtyrje me arsyetimin se lënda është voluminoze dhe se nuk janë pajisur me të gjitha shkresat e lëndës.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu ngarkohen me veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, paragrafi 1.6 dhe 1.4 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Në aktakuzë thuhet se prej periudhës 9 janar 2021 deri më 8 prill 2021, të pandehurit Vllasaliu në bashkëkryerjeje pas marrëveshjes paraprake, kishin filluar planifikimin për të privuar nga jeta të dëmtuarin, Bedri Rexhepi, me qëllim të fitimit të dobisë pasurore.

Sipas akuzës, ata fillimisht i kishin ndarë rolet dhe planifikuar veprimet dhe Jeton Vllasaliu duke shfrytëzuar besimin që i dëmtuari/i ndjeri Rexhepi kishte ndaj tij, e vë në lajthitje të njëjtin, ashtu që duke filluar nga 9 janar 2021, i kishte ofruar për shitje dy vetura, një “Range Rover” dhe një “BMW X3”, për vlerën prej 30 mijë euro.

Tutje, thuhet se gjatë realizimit të planit te tyre, i pandehuri Jeton, më 8 prill 2021 të dëmtuarin Rexhepi e dërgon në fshatin Vllasali në shtëpinë e të pandehurit Nexhat ku paraprakisht kishin planifikuar vrasjen e tij.

Pas kësaj,  aktakuza thotë se i pandehuri Jeton në mënyre tinëzare duke e ngufatur e privon nga jeta Rexhepin, duke menduar se ka me vete shumën e të hollave dhe atë në vlerë prej 30 mijë euro, siç edhe ishin marrë vesh për shitjen e veturave.

Mirëpo, sipas aktit akuzues pas vrasjes tek viktima kishte gjetur vetëm shumën prej 8 mijë euro që i ka ndarë me të pandehurin Nexhat Vllasaliu. Pastaj, thuhet se kufomën e të ndjerit e dërgon në katin e tretë të shtëpisë dhe në pamundësi për ta varrosur e kishte mbështjellur kokën e tij me qese të zezë të najlonit, kurse tërë trupin me perden e shtëpisë së të pandehurit Nexhat dhe e kishte lidhur me një litar.

Tutje, thuhet se veturën e të ndjerit Rexhepi e kishte dërguar në arat e fshatit Sushicë-Janjevë dhe nga aty, i pandehuri Jeton i kishte telefonuar të pandehurit Nexhat, i cili pastaj e kishte marrë me veturën e tij në rrugën që dërgon tek vendi ku e kishte lënë automjetin e të ndjerit.

Në vazhdim të aktakuzës, thuhet se në këtë mënyrë, i pandehuri Nexhat do të merrte pjesë në kryerjen e veprës dhe atë duke tentuar t’i humb gjurmët e kryerjes së veprës, ashtu siç edhe ishte planifikuar më herët.

Sipas aktakuzës, të nesërmen herët në mëngjes më 9 prill 2021, së bashku shkojnë në shtëpinë e tyre në fshatin Vllasali tek vendi ku ishte kufoma dhe në bashkëkryerjeje e dërgojnë në vendin kodrinor-malor të quajtur Mali i Madh në Vllasali, ku i pandehuri Nexhat e kryen veprimin siç e kishin planifikuar më herët, për zhdukjen e kufomës duke e varrosur dhe duke i fshehur edhe gjurmët deri më 30 shtator 2022, kur janë gjetur mbetjet mortore që besohet se janë të të dëmtuarit Rexhepi.

Të njëjtit, po ashtu ngarkohen me veprën penale “Dëmtim i varreve apo kufomave”, nga neni 413, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, të pandehurit Vllasaliu më 9 prill 2021, rreth orës 06:00 në fshatin Vllasali Novobërdë, në bashkëkryerjeje me qëllim të fshehjes së gjurmëve për veprën e kryer penale e kanë fshehur kufomën e tani të ndjerit Rexhepi, duke e varrosur në një vend që nuk është vendvarrim, gjegjësisht në vendin e quajtur Mali i Madh në Vllasali.

Në trend Lajme

Më shumë
Ngacmimet seksuale, Salihaj: Në vitet e 70-a profesorët e UP-së kishin shtretër nëpër kabinetet e tyre

Ngacmimet seksuale, Salihaj: Në vitet e 70-a profesorët e UP-së kishin shtretër nëpër kabinetet e tyre

Arsim
A do t'i

A do t'i "shpëtojë" Albin Kurti Asociacionit të komunave me shumicë serbe, flasin analistët

Lajme
Suspendimi i profesorit Krasniqi pas akuzave për ngacmim seksual, dekani i Fakultetit të Edukimit tregon detaje të vendimit

Suspendimi i profesorit Krasniqi pas akuzave për ngacmim seksual, dekani i Fakultetit të Edukimit tregon detaje të vendimit

Arsim
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Ndalohet një shtetas i Kosovës në Maqedoni, kërkohej nga Interpoli

Ndalohet një shtetas i Kosovës në Maqedoni, kërkohej nga Interpoli

Kronikë e Zezë
Kurti takon ministren e Jashtme gjermane, falënderon Gjermaninë për mbështetjen e Kosovës drejt anëtarësimit në KiE

Kurti takon ministren e Jashtme gjermane, falënderon Gjermaninë për mbështetjen e Kosovës drejt anëtarësimit në KiE

Lajme
Kalo në kategori