LAJMI I FUNDIT:

Gripi i shpezëve konfirmohet në Shqipëri, AUV merr masa të menjëhershme

Gripi i shpezëve konfirmohet në Shqipëri, AUV merr masa të menjëhershme

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) po monitoron me kujdes situatën zoonotike në rajon, pas konfirmimit të prezencës së Gripit të Shpezëve H5N1 në një fermë familjare pranë Tiranës.

Zëdhënësi i AUV-së, Lamir Thaçi, në një prononcim për Telegrafin theksoi se “ne po trajtojmë rregullisht raportimet përmes sistemit ADIS të BE-së. Kemi pranuar njoftimin se në Shqipëri është konfirmuar prezenca e sëmundjes së shpezëve, Gripi i Shpezëve H5N1, në afërsi të Tiranës, në një fermë ekonomie familjare. Bazuar në legjislacionin në fuqi, AUV ka ngritur menjëherë masat e kontrollit kufitar”

Thaçi nënvizoi rëndësinë e kontrollit të ngarkesave, duke thënë se “trupat inspektuese veterinare kufitare janë urdhëruar të kryejnë kontrolle të detajuara të ngarkesave me produkte ushqimore me origjinë shtazore, kafshë apo shpezë të gjalla.”


Ai shtoi se situata aktuale në Maqedonin e Veriut dhe Shqipëri është “e kufizuar në një zonë të izoluar,” duke theksuar se “vendi ynë nuk është i rrezikuar në nivelin për të vendosur masa kufizuese për importin.”

Duke folur për masat që janë marrë, Thaçi theksoi se “vendet përkatëse kanë vendosur masa të brendshme, që nënkupton se këto zona janë në karantinë dhe kanë pezulluar lëshimin e certifikatave për këto zona.”

Ai e përshkroi këtë si një hap të rëndësishëm për të “penguar përhapjen brenda territorit të tyre,” duke rritur sigurinë edhe për Kosovën.

Në lidhje me rrezikun nga importi, ai konfirmoi se “Kosova nuk ka import të shpezëve të gjalla nga këto dy vende,” duke nënkuptuar se rreziku i përhapjes së gripit H5N1 përmes importit të ngarkesave mbetet i ulët.

“Ne jemi në gjendje gatishmërie dhe do të ndryshojmë masat varësisht nga situata,” theksoi ai.

Farmerët janë të inkurajuar të aktivizojnë menjëherë masat e biosigurisë në fermat e tyre.

“Të gjithë fermerët komercialë të pulave janë njoftuar për masat mbrojtëse të biosigurisë,” tha Thaçi, duke theksuar se “masat e vetëmbrojtjes në fermë, ose aktivizimi i sistemit të vetëkontrollit, janë mënyrat më efektive për përballimin e kësaj sëmundjeje.”

Ai paralajmëroi se “gripi i shpendëve bartet nga shpendët shtegtarë, gjë që e bën të pamundur ndalimin e plotë të tij nga hyrja në një vend,” por theksoi se “kontrollet efektive për pengimin e kontaktit të shpendëve shtegtarë me fermat ose kotecët e pulave do të parandalonin përhapjen”.

Thaçi përfundoi duke thënë se “ne po veprojmë me të gjitha kapacitetet për të parandaluar përhapjen e sëmundjes dhe për të mbrojtur ekonominë e pularive në vend”.

Sa i përket sëmundjes së Laringotraheititit, Thaçi theksoi se “nuk rrezikon shëndetin e njerëzve dhe nuk është zoonotike”.

Ai shtoi se “fermerët kryejnë vaksinim të rregullt si masë parandaluese” dhe konfirmoi se “deri tani në Kosovë nuk është evidentuar asnjë rast i kësaj sëmundjeje te shpezët”.

Ndërkohë, ai përmendi gripin e shpezëve tipi H5N8, i cili “mund të prekë njerëzit, por me patogjenitet të ulët dhe zakonisht kalon me simptoma të lehta të gripit të zakonshëm” /Telegrafi/