LAJMI I FUNDIT:

Greva në sektorin publik, qytetarët presin në radhë për pajisje me dokumente në Komunën e Prishtinës

Greva në sektorin publik, qytetarët presin në radhë për pajisje me dokumente në Komunën e Prishtinës

Greva e nisur javën e kaluar në sektorin publik po u shkakton telashe qytetarëve të Komunës së Prishtinës për t’u pajisur me dokumente.

Për shkak se grevës qytetarët janë të detyruar t’iu drejtohen shërbimeve të digjitalizuar, por këto të fundit shpesh ndodh të jenë jashtë funksionit për shkak të reduktimeve të energjisë elektrike.


Qytetarët thonë se duhet të presin me orë të gjata, dhe shpesh nuk kanë mundësi të pajisjen me dokumente.

Hava Karakushi thotë për KosovaPress se faji nuk është vetëm i grevistëve, por sipas saj populli gjithnjë e pëson.

“Po edhe ata s’kanë faj…. Po duhet plotësuar (kërkesat), për populli gjithqysh është keq. Edhe rryma e 2 orë prej orës 8 është ndal. Çka të bëjmë”, thotë ajo.

Edhe për qytetarin Sulejman Krasniqi nuk është e drejtë greva, pasi kemi probleme të tjera më të mëdha.

“Në këtë moment nuk është e drejtë greva. Ajo është e lejuar me ligj, por në këtë, moment kemi vështirësi të mëdha dhe është “mëkat” të hysh në grevë”, thotë ai.

Edhe qytetari tjetër Rexhep Hyseni thotë se për shkak të grevës së administratës komunale nuk po mund të pajisjet me dokumente.

“Po na pak a shumë dokumentacionin e kemi paraqit për 5 ditë me i marrë, qe na zuri greva. E sa do të zgjasë greva nuk e dimë. Problemi është se qytetarët kanë nevojë për dokumentacione, i kanë edhe probleme të tjera, e kështu që na presim, urojmë që sa më shpejt… Më së miri e dinë vetë, por kjo çështje duhet të rregullohet dhe populli të mos mbetet duke pritur. Të gjithë kemi nevojë për të punuar dhe uroj që sa më shpejt të bëhet puna siç duhet”, thotë ai.

Ndryshe, BSPK-ja ka shpallur grevë në sektorin publik më 25 gusht. Kërkesë kryesore e grevistëve është që punëtorëve të sektorit publik t’u ndahen nga 100 euro shtesë deri në miratimin e Ligjit për Paga, për çka deri tash nuk ka gatishmëri nga Qeveria e Kosovës.

BSPK ka paralajmëruar se greva do të vazhdojë derisa qeveria të plotësojë kërkesat e saj. /KP/