Turqia po dëshiron të dërgojë një anije shpimi në ujërat e pretenduara – dhe të mbrojtura – nga Greqia.

Greqia dhe Turqia i janë afruar një konflikti të armatosur pas përcaktimit të befasishëm të Turqisë për një Zonë Ekskluzive Ekonomike (EEZ) me Libinë, thonë ekspertët për Al Jazeera.

Marrëveshja, e nënshkruar më 27 nëntor dhe e zbuluar të enjten, parasheh një korridor uji që shtrihet përtej Mesdheut lindor midis brigjeve të Turqisë dhe Libisë, duke prerë një shteg që pretendohet edhe nga Greqia, anëtare e BE-së, transmeton Telegrafi.

Një Zonë e tillë Ekskluzive Ekonomike, thuhet në shkrim, i lejon vendeve me të drejta ekskluzive për të shfrytëzuar burimet natyrore përfshirë pasuritë minerale.

Ministri turk i energjisë, Fatih Donmez, ka njoftuar se, sapo marrëveshja të ratifikohet nga të dy palët, shpimet turke do të fillojnë të kërkojnë atje për naftë dhe gaz.

Megjithëse Marina Helene as nuk e konfirmon dhe as nuk e mohon, dy ekspertë i kanë thënë Al Jazeera se Greqia ka dërguar forcat detare në zonën e diskutueshme në juglindje të Kretës.

“Nëse paraqitet një shpim nga ana e Turqisë, anijet tona do të ndërmarrin veprime kundër saj, dhe kjo mund të çojë në një konfrontim të armatosur, sepse këto anije shoqërohen me anije detare. Dhe sigurisht që përfundimisht mund të çojë në një luftë”, thotë një diplomat veteran me kusht të anonimitetit, shkruan Al Jazeera, transmeton Telegrafi.

Ndërsa profesori i të drejtës publike ndërkombëtare, Angelos Syrigos, konfirmon gjithashtu se forcat detare greke janë dërguar si një parandalues ​​i eksplorimeve turke.

“Nuk do të ketë shpime turke. I është komunikuar Turqisë se ne nuk do të tolerojmë asnjë eksplorim në zonën që Greqia konsideron si EEZ-në e saj”, thotë Angelos Syrigos, profesor i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin Panteion dhe deputet në partinë në pushtet “Demokracia e Re”.

“Ne po përgatitemi për të gjitha ngjarjet në të gjitha nivelet”, i tha të enjten Sky News, ministri grek i Mbrojtjes, Nikos Panayotopoulos.

Shefi i shtabit të marinës, Admirali Nikos Tsounis, shtoi: “Ne nuk do të presim që dikush të vijë dhe të na ndihmojë. Çfarëdo që bëjmë, ne do t’a bëjmë vetëm”.

Një takim midis kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, si dhe presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan, në margjinat e një samiti të NATO-s të mërkurën nuk prodhoi asnjë përparim.

“Ishte një diskutim i hapur dhe i sinqertë por që nuk solli marrëveshje për asnjë temë të ngritur”, i thanë burime qeveritare Al Jazeera, duke thënë se temat përfshinin edhe rritjen e fluksit të refugjatëve nga Turqia në Evropë përmes Greqisë.

“Ka pasur marrëveshje për të vazhduar masat e ndërtimit të besimit, dhe që të dy palët ta mbajnë dialogun të hapur”, citohet të ketë thënë ky burim.

Greqia dhe Turqia kanë ndjekur një seri masash për ndërtimin e besimit që nga viti 1987, kur këto shtete gati u futën në luftë për eksplorimin e hidrokarbureve në Detin Egje.

Ndryshe, në një zhvillim të enjten, presidenti qipriot Nikos Anastasiadis tha se vendi i tij do të kërkonte nga Gjykata Ndërkombëtare në Hagë për ta mbrojtur atë nga eksplorimet turke në EEZ qipriote.

Që nga viti i kaluar, katër anije eksploruese turke kanë kërkuar naftë dhe gaz në ujërat e kufizuar nga Qipro si EEZ e saj në një seri traktatesh ndërkombëtare me fqinjët.

Po sipas shkrimit të Al Jazeera, BE dhe SHBA e kanë quajtur të paligjshëm eksplorimin e Turqisë në EEZ në Qipro dhe i kanë thënë Ankarasë të ndalojë.

Dhe Sirigos beson se marrëveshja turko-libiane do t’i paraqitet OKB-së si një mënyrë për të adresuar këtë çështje.

“Turqia nuk kishte absolutisht asnjë bazë ligjore për eksplorimet e saj në Mesdheun lindor”, thotë Sirigos.

Për dallim nga Qipro, Greqia nuk e ka kufizuar EEZ-in e saj.

“Ne nuk kemi dorëzuar koordinata për të treguar se ku mbarojnë interesat tona në Mesdheun lindor”, thotë një ekspert grek për marrëdhënie ndërkombëtare në kushte anonimiteti.

“Bashkimi Evropian qëndron në solidaritet të plotë me Greqinë dhe Qipron në lidhje me veprimet e fundit të Turqisë në Mesdheun Lindor, përfshirë Detin Egje”, tha Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm (EEAS) në një deklaratë të mërkurën. “Turqia duhet të respektojë sovranitetin dhe të drejtat sovrane të të gjitha vendeve anëtare të BE-së”, është thënë tutje në deklaratë.

Izraeli, i cili ka krijuar një aleancë energjetike me Qipron, Greqinë dhe Egjiptin, dhe disa prej fushave të gazit të të cilave po zhvillohen nga një kompani greke, gjithashtu lëshoi ​​një deklaratë në mediat sociale .

“Izraeli rithekson mbështetjen e tij të plotë dhe solidaritetin me Greqinë në zonat e saj detare dhe kundërshtimin e saj ndaj çdo përpjekjeje për të shkelur këto të drejta. Izraeli i kushton rëndësi të madhe partneritetit të saj me Greqinë”, citohet të jetë thënë në deklaratë. /Telegrafi/