LAJMI I FUNDIT:

Grabitja e një milionë eurove në Rinas, zbulohen gjurmët

Grabitja e një milionë eurove në Rinas, zbulohen gjurmët

Nikël-Kashar-Durrës është trekëndëshi në të cilin është vendosur thuajse gjithë kërkimi policor për të hasur në gjurmët e grabitësve të thasëve me valutë të një banke të nivelit të dytë.

Thuajse është sekuestruar gjithçka e dyshimtë që është gjendur në këtë perimetër ndërsa ajo që përbën të vetmen provë materiale tani për tani që policia pranon edhe ta thotë është pikërisht fakti që paruka që është gjendur në afërsi te vendit ku është djegur mjeti iu përket grabitësve.


Besohet dhe shpresohet nga ana e ekspertëve të hetimit të kësaj grabitjeje që ka tronditur sigurinë e vendit, për faktin se grabitja ndodhi në pistën e avionëve në Rinas, se do të jenë këto gjurmë që do të bëjnë të mundur edhe identifikimin e personave që kryen grabitjen.

Megjithatë deri orëve të vona të mbrëmjes së djeshme nuk është bërë e mundur të shkohet tek asnjë i dyshuar edhe pse policia e Shtetit ka sjellë në ambiente policore një sërë emrash të njohur për botën e krimit, të cilët pas lënies së dëshmive dhe të shenjave të gishtërinjve, janë lënë të lirë.

Policia e Shtetit bëri me dije mbrëmë se po punon intensivisht në bashkëpunim edhe me prokurorinë ndërsa nuk u tha asnjë fjalë në lidhje me asnjë prej akuzave të rënda që iu është bërë forcave të policisë në lidhje me atë ngjarje.

Bidoni i benzinës

Me paruken, në afërsi të vendit ku u gjend mjeti i djegur i cili u përdor në Rinas për të kryer grabitjen është gjetur edhe një bidon benzine.

Mësohet se sendi është një bidon 5 kilogramësh uji, nga ato që përdoren nga firmat e ujit që shpërndahen në vendin tonë.

Me sa duket, djemtë e grabitjes nuk kanë llogaritur një fakt se aty mund edhe të kenë lënë një provë- gjurmë që edhe mund të identifikojë një person në momentin kur kanë mbushur bidonin në një benzinatë.

Edhe pse pretendohet se tashmë është rregulluar disi tregu i benzinës, mendohet se mostra në bidonin e sekuestruar do të zbulojë benzinatën ku është kryer mbushja apo dhe përmes shenjave që mund të jenë gjendur.

Sipas të dhënave të policisë bëhet me dije se është fakt që sendet e gjetura iu përkasin autorëve të asaj grabitjeje, pasi aty, në afërsi të bidonit është gjetur edhe një pusullë-letër që ka qenë e vendosur në thasët e parave të bankës, tashmë të grabitura.

Policia e Shtetit është tejet e rezervuar kur vjen puna te shenjat që janë gjetur në paruken e hedhur në rrugë, ndërkohë që pritet që bashkë me mjetin e djegur të jenë tri pikat mbi të cilat do të punohet fort për të përftuar gjurmë dhe profile personash konkret.

Sekuestrohen dhjetëra kamera

Referuar të dhënave të fundit policore mësohet se janë me dhjetëra kamera që janë sekuestruar për gjatë një sërë rrugësh të Krujës, Fushë-Krujës, Durrësit e deri në Qafë-Kashar.

Me dhjetëra pamje janë vënë në dispozicionin e policisë ndërkohë ka dyshime që autorët janë të njëjtët me grabitjen e blindit në rrugën dytësore të Kasharit, pak kohë më parë.

Policia është instaluar në atë zonë, pikërisht duke mbajtur nën kontroll gjithçka që është fiksuar nga kamerat e dhjetëra bizneseve dhe ku është i qartë dyshimi që edhe mund të kenë lëvizur autorët.

Edhe pse fokusimi fillestar ka qenë pikërisht Fushë-Kruja me rrethina, ekspertët janë kthyer sërish në grabitjen e para pak muajsh dhe duke i njehsuar ka lindur dyshimi se autorët edhe mund të kenë udhëtuar në drejtim të Tiranës e kryesisht zonës së Kasharit e deri në Mëzes-Fushë, si një prej mundë- sive më të lehta për të ngatërruar drejtim për policinë dhe për të humbur gjurmë.

Policia dhe grupi hetimor, e dinë mirë këtë “ves” të grabitësve profesionistë të cilët kanë mundësinë dhe aftësinë që të kapërcejnë çfarë do lloj postblloku policor me një rregullsi fikse pasi mjeti dhe gjithçka tjetër mund të jetë konform ligjit.

Megjithatë policia e ka të vështirë të identifikojë një mjet tjetër në lëvizje, si mjet i dyshimtë, për shkak se ende nuk dihet se sa makina janë përdorur për lëvizjen e grabitësve nga vendi ku është djegur mjeti Benz vishnje që u përdor në grabitje. Policia njëkohësisht po kërkon të gjejë edhe gjithë rrugën që kanë përdorur grabitësit për të ardhur deri në Rinas, për të shkuar të paktën në zonën ku edhe është kryer nisja. Prokuroria dhe policia në terren vijojnë punën për zbulimin e autorëve dhe të mekanizmit.

Grabitja, 2 policë ishin në pistë

Dy efektivë të policisë së Shtetit kanë qenë në pistën e aeroportit të Rinasit, kur personat e armatosur dhe të maskuar vodhën 1 milionë Euro gjatë kohës që po transportoheshin në avionin e linjës së Vjenës.

Ky fakt është bërë i ditur nga drejtori i Policisë Kufitare, Genc Merepeza, thënë për mediat, por ai i mori në mbrojtje pasi sqaroi se dy policët po prisnin në pistë një avion që po sillte në Shqipëria dy persona të depërtuar për çështje dokumentesh.

Merepeza shtoi se kur 3 grabitësit ishin në pistë duke marrë paratë, policët nuk reaguan pasi ishin larg dhe nuk kishin pamje të qartë për të parë se çfarë po ndodhte.

Sipas tij, policia u njoftua 2-3 minuta kur makina doli nga aeroporti me paratë e vjedhura, rreth orës 14:32.

Vendi ku autorët dogjën makinën e grabitjes është 2 minuta larg aeroportit, e megjithatë policia sërish nuk mundi t’i kapte pasi për gjatë gjithë kohës policia ka pretenduar se lajmërimi ka ndodhur 10 minuta pas ngjarjes.

Dhjetëra të shoqëruar, asnjë i prangosur si autor

Janë me dhjetëra personat e shoqëruar nga Policia e Shtetit edhe në dy ditët e fundit në lidhje me grabitjen e ndodhur në pistën e Rinasit. Të dhënat janë bërë me dije nga vetë Policia e Shtetit nga ku mësohet se numri i personave të shoqëruar është i shumtë, po ashtu edhe dëshmitë dhe shenjat që janë marrë prej tyre. Ndonëse nuk pranohet zyrtarisht bëhet me dije se Nikla vazhdon të kryesojë listën me personat që kanë mbërritur në dyert e policisë ndërsa mësohet se mes tyre është edhe vëllai i Durim Bamit, Valteri. Policia e ka lënë të lirë pas dëshmisë, ndërsa ai ka sjellë edhe një alibi për hetuesit. Prokuroria e Krujës, përveç drejtuesve dhe agjentëve të kompanisë së sigurisë brenda perimetrit të aeroportit të Rinasit, ICTS, po heton edhe institucionet e Aviacionit Civil, Policinë e Shtetit dhe Ministrinë e Transporteve në lidhje me mos reagimin e tyre pas testeve të fshehta, që konstatuan probleme serioze të nivelit të sigurisë në aeroport.

Pavarësisht faktit që Aviacioni Civil dhe policia kanë shkëmbyer letra dhe raporte me kompaninë konçesionare të aeroportit dhe kompanisë së sigurisë ICTS, ku e sinjalizonin për problemet, ky fakt cilësohet i pamjaftueshëm nga prokuroria. Kështu Prokuroria e Krujës ka nisur verifikimin konkret të problemeve të konstatuara nga testet e fshehta dhe reagimin e institucioneve që janë vënë në dijeni të shkeljeve dhe cenimit të sigurisë. Po ashtu Prokuroria thotë se krahas hetimit për gjetjen e autorëve të grabitjes së 1 milion eurove në pistën e fluturimeve në “Rinas”, vazhdon verifikimet mbi veprimet e zyrtarëve të policisë në këtë rast. Nëse gjatë verifikimeve paraprake hetuesit gjejnë elemente të veprës penale, atëherë kallëzimi do të regjistrohet me emrin e zyrtarit apo zyrtarëve të policisë , të cilët nuk kanë kryer detyrën siç duhet. Objekt i hetimit të organit të akuzës është nëse policia nuk ka marrë masat e duhura duke qenë se ishte në dijeni mbi problemet e sigurisë në aeroport.

Ngjarja, priten të tjera urdhër-arreste, do të pyeten edhe dy policë

Në kohën kur të gjithë ia hedhin fajin të gjithëve në lidhje me ngjarjen e frikshme të pesë ditëve më parë në pistën e avionëve në Rinas, mësohet se prokuroria vijon punën hetimore dhe pritet që të lëshojë të tjerë urdhër arreste në lidhje me indiferencën e autoriteteve në rastin e këtij akti kriminal.

“Rinasi”, Policia, Autoriteti Civil dhe gjithë pjesa tjetër e politikës në vend janë përfshirë në akuza të thekshme e deri në hamendësime përfshirjesh nga individë e deri në pjesëtarë kompanish. Bëhet me dije se pritet që së shpejti pranga të vihen edhe mbi persona të tjerë që rezultojnë të kenë shkelur ligjin e sigurisë në momentin e asaj ngjarjeje. Pritet që të merren në pyetje edhe funksionarët e lartë të ICTS-së po ashtu edhe një sërë personash që kanë qenë në aeroport atë moment dhe që asnjë nuk ka mundur të bëjë asnjë veprim për të sinjalizuar në kohë, sipas policisë, këtë të fundit. Sipas prokurorisë në pistë kanë qenë edhe dy punonjës të policisë të cilët kanë qenë në pritje të një avioni që po sillte në drejtim të vendit tonë dy persona që ishin në proces ekstradimi. Edhe pse kane qenë larg dhe me fushë-pamje të kufizuar, sërish ata do të jenë pjesë e hetimit dhe do të dëshmojnë për këtë ngjarje. Hetime dhe fakte Referuar të dhënave hetimore bëhet me dije se është sekuestrua edhe dosja ku është përfshirë raporti i Këshillit të Sigurisë së Aeroportit, i cili pas testimeve që kishte zbuluar disa defekte në sistemin e sigurisë.

Ky raport është sekuestruar dhe është një nga provat më të forta të prokurorisë për të dëshmuar gjendjen e rëndë në të cilën ndodhej siguria e aeroportit të vetëm shqiptar funksional. Hetimet ndërkohë vazhdojnë me këqyrjen e filmimeve të kamerave të sigurisë, të cilat po analizohen me vëmendje për të mësuar detajet të cilat kanë çuar në një zbulim që përforcon idenë se grabitjet e makinave që transportojnë paratë e bankave për në aeroport janë vepër e së njëjtës bandë që mund ta ketë bazën në zonën mes Fushë-Krujës dhe Tiranës.

Sipas ekspertëve, nga krahasimi i pamjeve të kamerave të sigurisë edhe të grabitjeve të tjera, veç skemës së aksionit, krahasimi i imazheve të grabitjes dhe përshkrimi fizik i grabitësve ka çuar në përfundimin se të paktën një person është prezent në grabitjen e Rinasit dhe atë të Kasharit gjashtë muaj më parë. Dy grabitësit që kanë kryer ekzekutimin kanë mbajtur njëri maskë dhe tjetri një shami para fytyrës dhe kapele, ndërsa drejtuesi i makinës nuk ka dalë prej saj. Ata kanë tentuar të marrin edhe një thes me monedha metalike, por për shkak të peshës nuk e kanë ngritur dhe për të mos rrezikuar janë larguar duke marrë vetëm kartë- monedhat, vlera e të cilave saktësohet se është 960 mijë euro. I gjithë aksioni ka ndodhur brenda tre minutave dhe sipas hetuesve, Policia e Shtetit është njoftuar katër minuta pas krimit. /Shekulli/