Gjendja në deponinë Rusino në afërsi të Gostivarit sot në mëngjes është stabile.

Autoritetet lokale thonë se zjarri është shuar, por era e keq ende ndjehet në qytet. Zjarri në deponi nisi të shtunën në mëngjes dhe nxiti reagime nga qytetarët të cilët u ankuan për tymin dhe erën e keqe. Thuajse 24 orë pas reagimit të institucioneve kompetente, zjarri u lokalizua dhe u vendos nën kontroll. Për shkak të temperaturave ka rrezik që përsëri të ketë ndonjë zjarr eventual, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Zjarri nga dita e djeshme është shuar me angazhimin e disa firmave private dhe ekipet tona. Gjendja tani është stabile, por në disa pjesë ka tym. Ekipet tona janë në Rusino. Makinat do të mund të intervenonin menjëherë për shkak se ende ka rrezik për ndonjë zjarr të ri duke pasur parasysh temperaturat e larta”, thonë nga ndërmarrje publike ‘Komunalec’.

Ambientalistët nga Gostivari, zjarrin e vlerësuan si katastrofë të madhe ekologjike që ndikon keq ndaj shëndetit të njerëzve dhe mjedisit jetësor.

“Marrëdhënia e autoriteteve kompetente është i pa pranueshëm, për shkak se askush nuk doli me qëndrim zyrtar dhe rekomandime qytetarëve t’u thuhet çfarë të bëjnë dhe si të mbrohen nga tymi”, thonë nga shoqata ‘GV Eko’ duke kërkuar që të rregullohet kjo deponi dhe të parandalohet ndotja e mjedisit në këtë pjesë.

Arsyet për shfaqjen e zjarrit në deponinë Rusino nuk janë të njohra, por mendohet se është ndezur vetvetiu për shkak të temperaturave të larta./Telegrafi/