Gordon Ramsay zbulon se iu nënshtrua operacionit për heqjen e kancerit të lëkurës

Kuzhinieri i njohur botëror Gordon Ramsay (58) ka ndarë me ndjekësit në Instagram lajmin se iu nënshtrua një operacioni për heqjen e karcinomës bazocelulare, një formë e kancerit të lëkurës.
Ai publikoi dy fotografi pas ndërhyrjes – një me fashë dhe tjetrën ku shiheshin qepjet – duke treguar hapur atë që kishte përjetuar.
“Jam mirënjohës për ekipin fantastik tek The Skin Associates dhe për reagimin e tyre të shpejtë në heqjen e këtij karcinomi. Ju falënderoj! Ju lutem, mos harroni kremin kundër diellit këtë fundjavë. Premtoj që nuk është ‘face-lift’, ndoshta duhet të kërkoj kthim parash…”, shkroi Ramsay me humor.
Menjëherë pas postimit, ndjekësit dhe miqtë e tij e mbushën rrjetin me komente mbështetëse. “Shumë e rëndësishme që të flitet hapur për gjëra të tilla. Vendosni kapelë, përdorni krem kundër diellit dhe kërkoni hije. Shërim të shpejtë!”, shkroi një fans.
Një tjetër shtoi: “Bravo që bëre kontrollin e lëkurës! Kjo është diçka që të gjithë duhet ta bëjmë rregullisht”.
Edhe llogaria zyrtare e organizatës Cancer Research UK reagoi ndaj postimit: “Jemi të lumtur që je mirë, Gordon, dhe faleminderit që po rrit ndërgjegjësimin për rëndësinë e mbrojtjes nga dielli. Kërkoni hije, mbulohuni dhe përdorni shpesh e me bollëk krem kundër diellit”.
Karcinoma bazocelulare, e njohur edhe si bazaliom, është forma më e zakonshme e kancerit të lëkurës dhe tumori malinj më i shpeshtë tek personat me lëkurë të çelët. Ajo karakterizohet nga rritja e ngadaltë dhe agresiviteti lokal, por shumë rrallë jep metastaza.
Ky lloj kanceri shfaqet kryesisht në zonat e lëkurës të ekspozuara gjatë ndaj rrezeve ultraviolete (UV). Edhe pse rrallëherë rrezikon jetën, nëse nuk trajtohet mund të bëhet invaziv dhe shkatërrues në nivel lokal, duke dëmtuar inde të rëndësishme dhe duke lënë shenja të dukshme, veçanërisht në fytyrë. Diagnoza vendoset përmes biopsisë dhe analizës patologjike. /Telegrafi/




















































