eksperti-banner

Izraeli kërkoi nga SHBA-ja qasje në memorandumin e mirëkuptimit me Iranin, por kërkesa u refuzua.

Për këtë arsye, Tel Avivi zyrtar ende nuk ka informacione të plota për detajet e marrëveshjes që pritet të nënshkruhet këtë të premte në Zvicër.


Presidenti amerikan, Donald Trump ka premtuar se do të mbajë një konferencë për media lidhur me këtë marrëveshje, duke thënë se do ta “lexojë dokumentin fjalë për fjalë”, edhe pse nuk ka saktësuar se kur do t’i bëhet plotësisht i njohur publikut, shkruan jerusalempost.

Edhe pse detajet zyrtare ende nuk janë publikuar, mediat iraniane kanë raportuar se memorandumi përmban 14 pika kryesore.

Sipas këtyre burimeve, marrëveshja parashikon ndër të tjera:

Tërheqjen e ushtrisë izraelite (IDF) nga jugu i Libanit.

Heqjen e menjëhershme të bllokadës dhe hapjen e plotë të Ngushticës së Hormuzit.

Heqjen e të gjitha sanksioneve ndaj Iranit.

Zhbllokimin e 24 miliardë dollarëve të fondeve iraniane.

Krijimin e një plani amerikan për rindërtimin e Iranit në vlerë prej 300 miliardë shekelësh (rreth 80 miliardë dollarë).

Ndërkohë, nga Hezbollah kanë deklaruar se Irani u ka premtuar se marrëveshja nuk do të nënshkruhet nëse nuk përfshin kushtin për tërheqjen e forcave izraelite nga Libani.

Pavarësisht deklaratave nga Teherani dhe pretendimeve të Hezbollahut, ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, publikoi një deklaratë ku thekson qartë se IDF nuk do të tërhiqet nga Libani, në përputhje me politikën e tij dhe të kryeministrit Benjamin Netanyahu.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi tha se armëpushimi në Liban, si dhe marrëveshjet e tjera të përfshira në memorandum, do të hyjnë në fuqi të premten, menjëherë pas nënshkrimit zyrtar në Zvicër.

Ky dokument pritet të shërbejë si kornizë për negociata më të gjera drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, e cila përfshin edhe programin bërthamor të Iranit. Pas nënshkrimit të së premtes, palët do të kenë një afat prej 60 ditësh për të arritur marrëveshjen përfundimtare. /Telegrafi/