LAJMI I FUNDIT:

GM dëshiron që deri në vitin 2025 të fitojë 50 miliardë dollarë nga shitjet e automjeteve elektrike

GM dëshiron që deri në vitin 2025 të fitojë 50 miliardë dollarë nga shitjet e automjeteve elektrike

Progresi i pandalshëm i tregut të makinave elektrike mund të shihet qartë në Udhëzimin e Rishikuar 2022 të lëshuar nga General Motors për investitorët e saj.

Kompania pret që grupi i saj i veturave elektrike me rritje të shpejtë do ta bëjë atë një investim fitimprurës që në vitin 2025, me një kapacitet të planifikuar prej 1 milion veturave elektrike që do të prodhohen çdo vit.


GM pretendon se është në një pozicion unik për të përfituar nga investimet e saj në departamentet për studim dhe zhvillim, dizajn dhe inxhinieri.

E vërteta është se GM dhe prodhuesit e tjerë të mëdhenj të automjeteve ishin thjeshtë duke parë se si Tesla po fiton numër të madh klientësh, raporton Arena EV, përcjell Telegrafi.

Teksa prisnin, ata gjithashtu po përgatiteshin për hyrje në këtë treg, duke vendosur kontrata të zinxhirit të furnizimit, duke bërë plane për fabrika të reja dhe duke parë nga afër se si klientët po ndryshonin zakonet e tyre.

Në njoftimin zyrtar për shtyp nga GM thuhet se kompania do të ketë një makinë elektrike të pranishme në segmentet e kamionçinave, SUV-ve dhe veturave luksoze të cilat e mbulojnë 70 për qind të të gjithë vëllimit të industrisë së veturave elektrike në SHBA.

Kompania po lanson një kanal të ri shitjesh digjitale për të marrë një kontroll më të afërt mbi përvojën e klientit dhe për të ulur kostot shoqëruese deri në 2,000 dollarë për makinë.

Të ardhurat e parashikuara nga shitjet e veturave elektrike për vitin 2025 do të arrijnë në 50 miliardë dollarë me 400,000 makina elektrike që do të prodhohen mes viteve 2022 dhe gjysmës së parë të vitit 2024.

Duke filluar nga viti 2025, kapaciteti i prodhimit të veturave elektrike do të arrijë në 1 milion automjete. Prodhimi i parashikuar i baterive deri në vitin 2025 do të arrijë në 160GWh dhe 1.2 milion qeliza të baterive. /Telegrafi/