LAJMI I FUNDIT:

Gjysma e të punësuarve në Shqipëri marrin jo më shumë se 320 euro në muaj

Gjysma e të punësuarve në Shqipëri marrin jo më shumë se 320 euro në muaj

Rreth 50 për qind e të punësuarve me pagë në Shqipëri marrin më pak se 40 mijë lekë [rreth 325 euro në muaj].

Ndërkohë, rritja e pagës minimale me 15 për qind në fillim të këtij viti nga 26 mijë lekë [212 euro] në 30 mijë lekë [245 euro] dha efekt rokadë edhe për nivelet e tjera të pagave.


Të dhënat zyrtare nga INSTAT, që u referohen listë-pagesave në Tatime, tregojnë se kategoritë që paguajnë sigurime me paga të larta janë rritur në tremujorin e parë të këtij viti, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Gjatë janar-mars 2021, nga totali i të punësuarve, 34.3 për qind e tyre kanë deklaruar në tatime pagë zyrtare prej 30 mijë lekësh [245 euro]. Një vit më parë, në këtë kategori, ishin të deklaruar 26.4 për qind e totalit të të punësuarve. Shtimi i numrit të punonjësve në kufirin e pagës minimale erdhi për shkak të rritjes që ndodhi në fillim të vitit nga 26 mijë lekë në 30 mijë lekë.

Rrjedhimisht rritje shënoi edhe numri i të punësuarve që paguhen me paga 30 mijë lekë deri 40 mijë lekë [325 euro], me gati 2 pikë përqindje në raport me fillimin e vitit 2021.

Rritja e pagës minimale, sipas bizneseve, ka tërhequr në shumë raste edhe nivelet e tjera, në mënyrë që të ruhen diferencat mes kategorive të ndryshme të të punësuarve.

Rritjen më të madhe në numër e shënoi kategoria e të punësuarve me 60 mijë lekë [490 euro] deri 95 mijë lekë [775 euro]. Kjo kategori zuri 22.4 për qind të totalit të të punësuarve në tremujorin e parë, me rritje vjetore 3.2 pikë përqindje. Gjithashtu në totalin e punësimit u rrite më tej pesha e punonjësve që paguhen mbi 95 mijë lekë [775 euro].

Në të kundërt kategoria rreth pagës mesatare shënoi ulje. Punonjësit me paga 50 mijë lekë [410 euro] deri 60 mijë [490 euro] shënuan ule me 1.1 për qind në totalin e punësimit në raport me tremujorin e parë. Ulja erdhi si rezultat i kalimit në një kategori më të lartë të pagave.

Rritja e pagës minimale për efekt të sigurimeve shoqërore u aplikua në mesin e krizës së pandemisë COVID-19, e cila efektet negative i shtriu më së shumti në tregun e punës. Bizneset në sektorin fason u ankuan se rritja u bë pa konsultim.

Mirëpo Shqipëria, në të gjithë këto vite, ka zhvilluar një politikë shtrënguese në drejtim të pagave. Ndryshe nga të gjitha vendet në zhvillim të Rajonit të Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore, në Shqipëri pagat janë rritur më pak se produktiviteti në ekonomi.

Sipas një publikimit të fundit të Eurostat, Shqipëria ka pagën orare mesatare më të ulëtën në Evropë me vetëm 2.3 euro nga 3.41 euro në Serbi dhe 15 euro që është mesatarja e Bashkimit Evropian.

Menaxherët në Shqipëri paguhen 4.45 euro për orë nga 28.6 euro që është mesatarja e Bashkimit Evropian.

Profesionistët në Shqipëri paguhen mesatarisht 3.12 euro/orë në raport me 21.36 euro që është mesatarja e Bashkimit Evropian. /Monitor/