LAJMI I FUNDIT:

Gjyshezeza ligjëruese nga Zeza

Gjyshezeza ligjëruese nga Zeza

Shefi filloi fjalimin i ngazëllyer. Po habitem, se si në shoqërinë tonë flitet për problemin e punësimit të njerëzve, kur dihet hapur se nuk ka mbetur edhe një anëtar i cilësdo familjeje ministrash, deputetësh, a të kryetarëve të komunave, që nuk është sistemuar në vend të mirë pune, me pagë të mirë, veturë zyrtare dhe në shumicën e rasteve edhe me shofer. Iu betohem se sa jemi kujdesur për familjarët tanë, dëshmon edhe rasti i gjyshes së ministrit. Ne u kujdesem, që ajo grua plakë të mos mbetet me atë pension të gjorë prej 75 eurosh. Mund të deklarojë me krenari se ajo, pra gjyshja e ministrit, sot është ligjëruese e suksesshme në fakultetin juridik, megjithëse i ka mbushur 75 vjet.

Ju e dini mirë se si e pajisëm me diplomë gjyshen tuaj, apo jo, zoti ministër i arsimit, por edhe çdo anëtar të familjes suaj. Madje shumica e anëtarëve të familjeve tona mbajnë nga dy , deri pesë vende pune, ndërsa njerëzit thonë se nuk po punojmë sa duhet. Ju ministra të nderuar e dini mirë se nuk është lehtë të mbani nga pesë vende pune! Këto janë rezultate konkrete dhe për to mund të flisni me krenari edhe para popullit, në çdo takim. Ne nuk jemi fajtor pse ka shumë njerëz të papunë , pse ata nuk mund të jenë të gjithë anëtar të familjeve tona. Ne nuk mund t’i kemi gjithë popullin anëtar të familjeve tona. Bile për punësim mund të na e kenë lakmi gjithë bota. Njoh unë kryeministra të shteteve më të zhvilluara se vendi ynë, të cilët nuk kanë arritur të punësojnë të gjithë anëtarët e familjeve të tyre. Kam takuar kryeministër të huaj që nuk e ka punësuar as bashkëshorten e vetë.


Këtu edhe me këtë rast, deklaroj solemnisht se kemi gjetur rrugë edhe për largimin e studentëve tanë të dalluar nga vendi. Ata, pasi të diplomojnë, mund të shkojnë azil kudo në botë, ku të duan. Nuk jam unë fajtor pse të gjithë studentet nuk janë anëtar të familjeve tona. Bile, më sa kam dëgjuar, studentët tanë, atje jashtë, po dallohen me dije dhe rezultate. Njerëzve tanë të dalluar të dijes ua kemi hapur dyertë e botës, dhe ata, mund ta dëshmojnë talentin e tyre. Gëzohemi kur dëgjojmë për sukseset e tyre, që padyshim janë suksese tona, ngase, me politikën tonë largpamëse kemi arritur t’i detyrojmë të largohen nga vendi. Mund të konstatojë se kështu kemi zgjidhur si duhet problemin e punësimit.

Ministri i Arsimit e di mirë që kemi hapur shtatë universitete publike, të cilat financohen nga buxheti ynë i varfër. Aty marrin paga të mira shumë profesor, militant, të cilët me mund të madh i pajisem me diploma adekuate. Në shumicën e këtyre universiteteve punojnë të njëjtit doktor shkencash, pasi edhe nuk kishim numër të nevojshëm familjarësh për të gjitha këto universitete. Dihet botërisht se populli ynë ka vullnet dhe inat për shkollim, dhe për t’ua plotësuar dëshirën për arsim sipëror, kemi hapur edhe universitete e kolegje private, në mënyre që asnjë i ri mos të mbetet pa indeks studenti.

Pra, studentët mund të vijojnë studimet në cilindo fakultet që u duket më atraktiv. Është me rëndësi që askush të mos mbetet pa diplomë universiteti, dhe kjo po arrihet me sukses nga aktivistët tanë në terren, të cilët edhe iu japin orientimet e duhura, kandidatëve. Vendi ynë, me një milion e gjysmë banor, me aq shumë të papunë, ka të regjistruar 127 mijë student , të cilët vijojnë ligjëratat. Megjithëse , shumica përsërisin vitin akademik një, dy e tre herë, por për ketë, ne nuk kemi faj. Ata numërohen student tanë.

Gjithë këto rezultate mund t’i ilustrojmë me shembullin e gjyshës së ministrit, e cila doktoroi me sukses edhe pse ka mbushur 75 vjet dhe tash jep mësim në universitetin tonë.

Kjo nuk është histori e moçme!

Zihani i Zezës, kushëri i Zi Ziut, posa u bë ministër i Arsimit, menjëherë u deshtë të mendojë për pajisjen e zyrtarëve me diploma fakulteti, sepse, zoti na ruajt, nesër, mund të shkruajnë gazetat se nuk paska shkollë fare. Sa për pajisjen me dëftesa të shkollës fillore dhe diploma të shkollave të mesme nuk doli asnjë problem.

Kishim nderin të pajisim me diplomë të shkollës së mesme, ministrin e arsimit, megjithëse ai asnjëherë nuk ishte ulur në bankat e shkollës sonë, deklaroi me krenari, rabaxhiu , drejtori i gjimnazit.

Ministërziu, Zihani, për të zeza kishte plotë ide. Se pari sistemoi në vende pune të gjithë anëtaret e familjes, kështu që pajisja e tyre me diploma u bë më e lehtë. Kur i kishte mbetur në shtëpi pa punë vetëm edhe gjyshja , dhe kur i dukeshin pak, pesë anëtar të punësuar të familjes, ministërziu nga Zeza filloi të mendonte edhe per punësimin e a saj, pasi zijoshët mund ta përqeshnin, pse nuk kujdeset për atë plakë. Po t’ia shtonte pensionin vetëm gjyshes, zijoshët do ta përgojonin me njëmijë të zeza.
Vendosi që gjyshen ta bëjë me diplomë universiteti. Në fshatin Zezë, kanë për të folur mirë të gjithë për gjyshen time. Do të flitet gjatë se si ajo ia doli të shkollohet në pleqëri, si askush tjetër më parë, dhe do të më lavdërojnë se si e kam pajisur me diplomë, edhe pse nuk e ka pasur as një ditë shkollë. Se pari ia siguroi dëftesën e shkollës fillore.

Këtu pat filluar historia e re e gjyshes ligjëruese. Ministri , gjeni për ide të reja, nisi ta lavdëronte gjyshen në heshtje, sa gati e shpalli heroinë për punën që ka bërë gjatë jetës së saj. Gjyshja e ka dashur shumë arsimin, por në moshën e saj të re, nuk kishte pasur mundësi të shkollohej.

Mendoi ministërzeza se tash ka rast ta nderojë gjyshen. Jo vetëm ta bëjë me diplomë, por të ketë edhe pagë të mirë, si çdo akademik. Mosha e saj nuk është problem, pasi ajo akoma mbahet mirë me shëndet. Po të ketë nevojë edhe për ndryshimin e datëlindjes, këtë mund t’ia falsifikojmë shumë lehtë! Kush ka guxim ta kontrollojë datëlindjen e gjyshes së ministrit në librin e amzës? Askush!

Gjyshja ligjëruese: Gjyshen e mbanin këmbët mirë. Memoria nuk e kishte lënë krejt. Ajo nuk është fajtore që nuk ka mbaruar shkollën fillore me kohë. Ja që erdhi dita e saj. Zihani, djali I Hankos po merrej me politikë. Pasi u zgjodh deputet me vota të popullit, shefi i partisë e emëroi ministër të arsimit.

Të gjithë i duan gjyshet e tyre me siguri, prandaj edhe ministri e do gjyshen e vet. Shkollat, qe u hapen pas lufte, ishin rast i mirë për të pajisur me dëftesa edhe shumë zijosh që nuk kishin vijuar mësimin asnjëherë. Ky veprim u quajt hap patriotik nga zijoshët, ngase më parë askujt nuk i kishte shkuar mendja për kësi marifeti. Kështu atyre iu mbyll goja që të flasin keq për ministrin. Zijoshet do të kenë dëftesa të shkollës, të cilën nuk e kanë kryer asnjëherë. Bile as mendja nuk do t’i shkojë askujt se ato dëftesa do të jenë krejt të falsifikuara. Jo që u kritikua kjo dukuri , por nëpër medie u publikuan lajme se si po organizohen edhe kurse shkollimi për ata që nuk kanë mbaruar shkollën fillore. Thjeshtë, qeni të zotin nuk po e njihte. Rabaxhiu I fshatit kishte marr detyrën e drejtorit të shkollës fillore të Zezës. Pasi u bë drejtor, thirri të gjithë fshatrat dhe para tyre mbajti një fjalim të zjarrtë patriotik.

Ju e dini qe nuk e keni mbaruar shkollën fillore asnjëherë, tha ai. E dini që as shkronjat nuk ia dolët t’i mësoni asnjëherë. Por ja, sot kemi vendosur që të gjithë juve t’ua japim dëftesat për mbarimin e shkollës fillore. Zijoshet, në fillim, as nuk po kuptonin cakun e fjalimit të drejtorit, dhe nuk u gëzuan fare. Të nesërmen, në drejtorinë e shkollës ata morën dëftesat e nënshkruara nga drejtori zemërgjerë e human. Nuk mbeti edhe një zijosh pa dëftese të shkollës fillore. Së bashku me zijoshët, dëftesën e mori edhe gjyshja e ministrit, 72 vjeçare. Po, ministri me djallëzi ia kishte hedhur drejtorit të shkollës. Kishte menduar edhe për punësimin e gjyshes në ndonjë detyrë drejtuese në kryeqytet. Duke pasur gjyshen me diplomë, autoriteti i ministrit ishte rritur.

Ministri ynë ka edhe gjyshen me diplomë, nisen të thonë hapur zijoshët. Kështu duke i pajisur zezoshët me dëftesa të shkollës fillore, ministri përmes Rabaxhiut drejtor, po realizonte qëllimin e tij dhe po ua mbyllte gojën njerëzve të Zezës, që të mos flasin keq për gjyshen e tij. Që kur u bë ministër, nga Zihani, përditë dëgjoheshin ide të zeza të reja që nuk ishin dëgjuar më parë. Porositi drejtorin e shkollës së Zezës, që zijosheve t’u premtojë edhe diploma të shkollës së mesme, pasi do t’u duhen për shkollim të lartë. Rabaxhiu drejtor, nuk harroi t’ua rikujtoi zezoshëve edhe zgjedhjet që po afrohen, e të cilat duhet t’i fitoi partia e jonë. Vendi ynë i dashur ka nevojë për njerëz me diploma. Universitetin e kemi në dorë, andaj se shpejti do të keni mundësi, që duke pasur diplomat e shkollës se mesme, të pajiseni edhe me diploma fakulteti. Dyert për ne janë hapur. Vulat I kemi porositur dhe diplomat do rrjedhin si lumë.

Erdhi dita e dorëzimit solemn të diplomave të shkollës se mesme. Me këtë hap, ministri po siguronte edhe votat për zgjedhjet e reja që do mbahen së shpejti.

Sa kalonin ditët, ministrit i shtoheshin ambiciet. Sa fatkeqësi që nëna e ministëerzezës, Gala kishte vdekur herët. Sot ajo do të mund të zgjidhej në një pozitë të lartë. Pasi nënën nuk mund ta zëvendësonte me ndonjë dokument a diplomë, mund ta punësojë gjyshen pa asnjë dilemë. Bile për punësimin e gjyshes do të me lavdërojnë gjithë fshataret e Zezës. Do të flitet gjatë se si Zihani punësoi edhe gjyshen e tij plakë.

Pasi e kishte gjyshen “e fortë”, dhe pasi ajo e gjora moti kishte pasur dëshirë të kryente ndonjë shkollë, ja që tani iu dha rasti. Hankua më nuk do të kishte nevojë të endë fjalë fshati, kur ketë detyrë mund ta kryej aq bukur në qytet. Pasi njihej si “oratore e mirë” për fjalë të zeza, ajo u bë ligjëruese në fakultet. Mbarimi I fakultetit juridik nuk ishte ndonjë problem. Vetëm dy vjet pas çlirimit të Zezës, Hankua me 74 vjet moshë, doli me doktoratë dhe punësimi i saj në fakultetin e dashur juridik ishte bëre realitet. Mosha nuk e lejonte të punësohej sipas rregullave ligjore, pasi ajo ishte në pension, po ligjet dhe rregullat i bënte ministërzeza vetë. Urdhëroi rektorin që për kuadro ”të famshme” të hapen vende pune, sidomos për njerëz “me përvojë”, pasi ata i duhen shoqërisë në këtë kohë. Kështu Hankua i plotësoi të gjitha kriteret për të ligjëruar në fakultetin juridik.

Në Zezë, lëvdatat për ministerzezen shtoheshin përditë. Ai u bë hero i vërtetë. Emri i tij po përflitej kudo. Ky është nipi hallall i gjyshes. Ky është ministri i arsimit, të cilit nuk mund t’i gjeni shokë askund, thoshin zijoshët.

Sa për punësimin e të shoqes , ministri nuk u lodh fare. Vetë rektori i propozoi që e shoqja e tij, pasi ka edhe pamje tronditëse dhe zë shurdhues, të jetë zëdhënëse e rektoratit. Kështu punësimi I familjes” së vogël” të ministrit nuk u bë problem fare. U hapen edhe më shumë vende punë sesa kishte paramenduar. Vetë shefit të kabinetit , nisi t’i vinte keq pse edhe populli i gjorë nuk është anëtar i ndonjërës familje të ministrave apo deputetëve. Diplomat e fakultetit nuk po viheshin në dyshim asnjëherë. Ato i kishte nënshkruar zyrtarisht, vetë rektori.

Çka ka faj ministri që mban tre vende pune? Deputet është zgjedhur me vota të popullit, ministër është emëruar nga shefi i partisë, ndërsa ligjërues në fakultet është pranuar nga rektori. Punë e pastër a ?