LAJMI I FUNDIT:

GJYQTARI I PADREJTË DHE I AKUZUARI

GJYQTARI I PADREJTË DHE I AKUZUARI
Ilustrim

Rrëfenjë franceze
Përktheu: Bajram Karabolli

Një legjendë e vjetër na rrëfen se në Mesjetë një njeri tejet i virtytshëm, padrejtësisht u akuzua se paskësh vrarë një grua. Në të vërtetë, autori i njëmendtë i vrasjes ishte një person me influencë në qeveri. Pikërisht për këtë, njeriu i mirë u gjet si kokë turku për ta fshehur fajtorin e vërtetë. Të akuzuarin e nxorën përpara trupit gjykues, ku nuk kishte asnjë shpresë për të shpëtuar jetën. Kryegjyqtari, edhe pse i blerë për ta shpurë në trekëmbësh, u kujdes për një gjykim gjoja të drejtë, duke i thënë të akuzuarit:


– Duke pasur parasysh famën tënde si njeri i drejtë e i devotshëm ndaj Zotit, po e lëmë fatin tënd në dorën e Zotit. Do të të vëmë përpara dy copa letre të mbyllura, ku në njërën do të jetë shkruar “Fajtor” dhe në tjetrën “I pafajshëm”. Ti do të zgjedhësh njërën dhe me siguri Zoti do të të ndihmojë.

I akuzuari e kuptoi se pikërisht aty ishte kurthi: me siguri, në të dy copat e letrave do të ishte shkruar fjala “Fajtor”. Pra, nuk kishte shpëtim këdo që të zgjidhte. Gjyqtari urdhëroi të merrte njërën letër. I mjeri njeri mori frymë thellë dhe qëndroi disa çaste në heshtje me sytë e mbyllur. Kur të pranishmit po e humbitnin durimin, hapi sytë, buzëqeshi çuditshëm, rrëmbeu njërën nga copat e letrës, e futi në gojë dhe e kapërdiu.

Gjyqtari, i habitur dhe i indinjuar i bërtiti me qortim:

– Ç’bëre, ashtu?! Po tani, si do ta marrim vesh, të vërtetën?

– Është shumë e thjeshtë – u përgjigj i akuzuari. – Hapni letrën që ka mbetur dhe do ta merrni vesh se ç’ishte shkruar te letra që hëngra.

Kështu, me guxim dhe zgjuarsi ai i shpëtoi padrejtësisë dhe kurthit të gjykatësit të korruptuar.