Gjykata në Pejë cakton masa ndalimi dhe pezullimi për dy zyrtarë policorë të dyshuar për keqpërdorim detyre

Gjykata Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, ka miratuar kërkesën e Prokurorisë Themelore dhe ka caktuar masën e ndalimit për të pandehurit P.T. dhe N.G., nën dyshimin e bazuar për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas nenit 414, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Pas seancës dëgjimore të mbajtur më 22 qershor, gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se ndalimi i të pandehurve për t’iu afruar një vendi apo personi të caktuar është i nevojshëm, për të shmangur ndikimin e mundshëm në procedurën penale.
Gjykata ka konstatuar se janë plotësuar kushtet ligjore për këtë masë, në përputhje me nenin 184, paragrafi 1, nënparagrafi 1.2.3 të Kodit të Procedurës Penale.
Po ashtu, gjykata ka miratuar edhe pezullimin e përkohshëm nga detyra për të dy të pandehurit, që shërbejnë në Policinë e Kosovës.
Ky pezullim do të jetë në fuqi nga data 21 qershor deri më 21 korrik 2025, bazuar në nenin 539 të Kodit të Procedurës Penale./Telegrafi/




















































