Vozitje nën ndikim të alkoolit, shpejtësi e telefona në timon - 123 shoferë ndëshkohen në Gjakovë

Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor në Gjakovë ka intensifikuar aktivitetet për rritjen e sigurisë në trafik, përmes zbatimit të planeve operative “Alkooli” dhe “Vera 2026”.
Sipas njoftimit të policisë, gjatë periudhës së fundit 10-ditore janë realizuar aktivitete vetëdijesuese, parandaluese dhe ndëshkuese me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion.
Gjatë këtyre kontrolleve janë kryer gjithsej 1,892 teste për alkool, ku 123 drejtues mjetesh kanë rezultuar se kanë drejtuar automjetet nën ndikimin e alkoolit. Ndaj tyre është zbatuar masa mbrojtëse e patentë shoferit.
Po ashtu, policia ka shqiptuar edhe 1,580 gjoba për kundërvajtje të ndryshme në trafik, përfshirë tejkalime të pasigurta, tejkalim të shpejtësisë, përdorim të telefonit gjatë ngasjes, mosvendosje të helmetës dhe shkelje të tjera të rregullave të komunikacionit.
Në kuadër të planit operativ “Vera 2026”, janë identifikuar edhe dy raste të posedimit të narkotikëve dhe një rast i armëmbajtjes pa leje.
Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor në Gjakovë ka bërë apel te qytetarët që të respektojnë rregullat e trafikut dhe të tregojnë kujdes gjatë drejtimit të automjeteve, me qëllim uljen e numrit të aksidenteve dhe rritjen e sigurisë në rrugë. /Telegrafi/





































