LAJMI I FUNDIT:

Kushtetuesja pezullon vendimin për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës

Kushtetuesja pezullon vendimin për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës

Gjykata Kushtetuese e Kosovës pas vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Kuvendit, për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, ka vendosur masën e pezullimit të përkohshëm të këtij vendimi deri më 15 dhjetor të këtij viti.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, në emër të 10 deputetëve të tjerë, më 7 korrik të këtij viti ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Kuvendit, përmes të cilit theksojnë se anëtarët e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës u shkarkuan në mënyrë kundërkushtetuese dhe arbitrare.


Sipas kësaj partie në këtë kërkesë, PDK-ja ka argumentuar se Kuvendi në mënyrë kundër-kushtetetuese, ka shkelur dy nene konkrete të Kushtetutës, respektivisht nenin 101 (Shërbimi Civil) dhe 142 (Agjencitë e Pavarura) të Kushtetutës.

Lidhur me këtë çështje Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës sot publikoi vendimin për masë të përkohshme në rastin KO 127/21, të parashtruar nga Abelard Tahiri dhe 10 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në të cilën u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së Vendimit nr. 08-V-029, të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të 30 qershorit 2021, për shkarkimin e pesë (5) anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, transmeton telegarfi.

Në bazë të kësaj Gjykata vendosi masën e përkohshme deri më 15 dhjetor 2021, duke pezulluar menjëherë Vendimin e kontestuar dhe duke përcaktuar që Kuvendi duhet të përmbahet nga çdo veprim lidhur me çështjen e zgjedhjes së anëtarëve të rinj deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese:

“Njoftim për publikimin e vendimit për masë të përkohshme në rastin KO 127/21

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës sot publikoi vendimin për masë të përkohshme në rastin KO 127/21, të parashtruar nga Abelard Tahiri dhe 10 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në të cilën u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së Vendimit nr. 08-V-029, të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të 30 qershorit 2021, për shkarkimin e pesë (5) anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Më 30 qershor 2021, Kuvendi i Republikës së Kosovës, përmes Vendimit [nr. 08-V-029], kishte miratuar rekomandimin e Komisionit të Kuvendit për Administratë Publike për shkarkimin e pesë (5) anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës. Parashtruesit e kërkesës, përkatësisht 11 deputetë të Kuvendit të Kosovës, përmes kërkesës KO 127/21 kërkuan vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të lartcekur të Kuvendit. Në ndërkohë dhe me qëllim të vlerësimit të domosdoshmërisë për vendosjen e masës së përkohshme, Gjykata Kushtetuese kërkoi informacion nga Kuvendi për veprimet e ndërmarra pas Vendimit të kontestuar, dhe për pasojë, u njoftua nga Kuvendi, se i njëjti kishte shpallur konkurset për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit.

Parashtruesit e kërkesës para Gjykatës pretendojnë, mes tjerash, se Vendimi i kontestuar i Kuvendit, cenon pavarësinë e Këshillit, të garantuar me nenin 101 [Shërbimi Civil] dhe nenin 142 [Agjencitë e Pavarura] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, andaj kërkojnë që i njëjti të anulohet. Parashtruesit e kërkesës, për më tepër, duke iu referuar paragrafit 2 të nenit 43 (Afati) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, theksuan se, Vendimi i kontestuar i nënshtrohet efektit pezullues ex-lege lidhur me pasojat juridike, duke kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të njoftojë Kuvendin, që ndërmarrja e veprimeve për të zbatuar Vendimin e kontestuar është në kundërshtim me efektin pezullues të përcaktuar në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese.

Gjykata shqyrtoi pretendimet e parashtruesve të kërkesës përkitazi me masën e përkohshme dhe përgjigjen përkatëse të Kuvendit, dhe fillimisht, duke u referuar në praktikën e saj gjyqësore, sqaroi rrethanat kur aktet e Kuvendit, kushtetutshmëria e të cilave kontestohet nga dhjetë (10) a më shumë deputetë të Kuvendit të Kosovës para Gjykatës, i nënshtrohen efektit pezullues, siç është përcaktuar në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese.  Gjykata gjithashtu sqaroi se, duke pasur parasysh që Vendimi i kontestuar në aspekt procedural në mënyrë që të prodhojë pasoja juridike, nuk e parasheh dërgimin e tij tek Presidentja, i njëjti nuk i nënshtrohet efektit pezullues bazuar në nenin 43 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese. Megjithatë, dhe duke marrë parasysh që kërkesa para Gjykatës ngreh një sërë çështjesh lidhur me pavarësinë dhe funksionimin e Këshillit, si një institucion i pavarur i themeluar me Kushtetutë dhe i cili siguron respektimin e rregullave dhe parimeve që rregullojnë shërbimin civil, vlerësoi se është e nevojshme vendosja e masës së përkohshme sipas detyrës zyrtare, bazuar në nenin 27 (Masat e përkohshme) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe në Rregullin 56 (Kërkesa për Masë të Përkohshme) të Rregullores së Punës.

Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Vendimin e publikuar, duke theksuar se vendosja e masës së përkohshme nuk paragjykon pranueshmërinë ose meritat e rastit, Gjykata vendosi masën e përkohshme deri më 15 dhjetor 2021, duke pezulluar menjëherë Vendimin e kontestuar dhe duke përcaktuar që Kuvendi duhet të përmbahet nga çdo veprim lidhur me çështjen e zgjedhjes së anëtarëve të rinj deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës”, thuhet në vendimin e Kushtetuses. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Buleshkaj: Vitin e kaluar jemi njoftuar për një politikan që i ka pasë 5 milionë euro në një bankë në Zvicer

Buleshkaj: Vitin e kaluar jemi njoftuar për një politikan që i ka pasë 5 milionë euro në një bankë në Zvicer

Lajme
“E çela vrimën në mur, i preva tre palë tela dhe ika arave deri në Lipjan”- Arratisja e Faton Hajrizit nga Bondsteel-i dhe Burgu i Pejës

“E çela vrimën në mur, i preva tre palë tela dhe ika arave deri në Lipjan”- Arratisja e Faton Hajrizit nga Bondsteel-i dhe Burgu i Pejës

Siguri
Server: Qeveria e re e Serbisë me bashkëpunëtorë të sulmit terrorist të Banjskës

Server: Qeveria e re e Serbisë me bashkëpunëtorë të sulmit terrorist të Banjskës

Lajme
Knaus

Knaus "godet" sërish: Kushtëzimi i anëtarësimit të Kosovës në KiE me krijimin e Asociacionit pamundëson realizimin e të dyjave

Lajme
Fruti i pasionit mbillet në Shkodër - Familja Ndoja nga 1 dynym, sot mbjell 15 hektarë

Fruti i pasionit mbillet në Shkodër - Familja Ndoja nga 1 dynym, sot mbjell 15 hektarë

Lajme
Konjufca i zhgënjyer me BE-në: Me padurim doni të punoni me qeverinë serbe pro-ruse, e neve nuk na hiqni masat

Konjufca i zhgënjyer me BE-në: Me padurim doni të punoni me qeverinë serbe pro-ruse, e neve nuk na hiqni masat

Lajme
Kalo në kategori