LAJMI I FUNDIT:

Gjykata e Apelit pranon ankesën e organizatorëve të “27 prillit”, lënda kthehet në rigjykim

Gjykata e Apelit pranon ankesën e organizatorëve të “27 prillit”, lënda kthehet në rigjykim

Gjykata e Apelit e shfuqizoi aktgjykimin e shkallës së parë me të cilin organizatorët e “27 prillit” ish-kryeparlamentari Trajko Veljanoski, ish-ministrat Spiro Ristovski dhe Mile Janakieski dhe ish drejtor i Drejtorisë së Sigurisë dhe Kundërzbulimit, Vladimir Atanasovski, u dënuan me gjithsej 25 vjet burgim.

Gjykata e Apelit pranoi ankesat e të akuzuarve dhe e ktheu lëndën për rigjykim në Gjykatën Penale. Megjithatë, masat e sigurisë ndaj tyre do të mbeten në fuqi, përcjell Telegrafi Maqedoni.


Gjykata e Apelit ka vlerësuar se gjatë procedurës në këtë rast janë bërë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 415 paragrafi 1 pika 11 dhe paragrafi 3 të Ligjit për procedurë penale, të cilat kanë ndikuar që gjykata e shkallës së parë të mos ketë mundur të zbatojnë drejt të drejtën materiale – Kodin penal.

Për Apelin është kontestuese që Gjykata Penale ka shpërfillur edhe kundërshtimet që kanë të bëjnë me Ligjin për Amnistinë, i cili ndaloi procedimin penal për disa nga të akuzuarit për sulmin e “27 prillit” në Kuvend.

“Gjykata e shkallës së parë ka bërë edhe shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 415 paragrafi 3 të Ligjit për procedurë penale, gjegjësisht ka shkelur të drejtën e mbrojtjes së të akuzuarit, e cila ka ndikuar në kalimin ligjor dhe të drejtë të aktgjykimit dhe të drejtën e të akuzuarit për gjykim të drejtë, sepse nuk është diskutuar në masë të mjaftueshme çështja e dispozitave që kanë të bëjnë me amnistinë e ndjekjes penale”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit.

Ndryshe, në korrik të vitit 2021, Gjykata Penale i dënoi me burgim Veljanoskin, Janakiskin, Ristovskin dhe Atanasovskin. Veljanoski u dënua me gjashtë vjet e gjysmë burg, ish-ministrat me 6 vjet e tre muaj burg, ndërsa ish-drejtori i DSK-së me 6 vjet burg për kërcënim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë./Telegrafi/