Gjithnjë e më i shpeshtë tek gratë: Këto janë simptomat kryesore të estrogjenit të lartë

Estrogjeni është hormon kyç për funksionimin e shëndetshëm të organizmit, veçanërisht tek gratë, por edhe tek burrat
Kur estrogjeni është në nivele normale, ai kontribuon ndjeshëm në mirëqenien e gruas, por çdo çrregullim në ekuilibrin e tij mund të shkaktojë probleme serioze shëndetësore.
Niveli i lartë i estrogjenit, i njohur si “dominancë estrogjenike”, po bëhet gjithnjë e më i zakonshëm – kryesisht për shkak të stilit modern të jetesës, ushqyerjes dhe ekspozimit ndaj toksinave.
Estrogjeni përfshin tre forma kryesore – estronin, estradiolin dhe estriolin dhe ka rol të pazëvendësueshëm në rregullimin e ciklit menstrual, ruajtjen e densitetit të kockave, mbështetjen e shëndetit riprodhues dhe ndikimin në gjendjen shpirtërore, shpjegon gjinekologia Dr. Tamara Guichard.
Përveç kësaj, ai ndikon drejtpërdrejt në shëndetin e zemrës, metabolizmin dhe funksionimin e organeve riprodhuese.
Megjithatë, “estrogjeni i lartë” nuk është diagnozë më vete, zakonisht lidhet me gjendje si sindroma e vezoreve policistike (PCOS) apo me faktorë të stilit të jetesës, përfshirë stresin. Prandaj, është thelbësore që çdo grua të konsultohet me mjekun për çdo simptomë të dyshimtë, për të siguruar diagnozë dhe terapi të përshtatshme.

Çfarë mund të shkaktojë estrogjenin e lartë
- Cikle menstruale të çrregullta ose të bollshme
Një nga shenjat e para të nivelit të lartë të estrogjenit janë ndryshimet në ciklin menstrual.
Nëse keni gjakderdhje të tepërta, cikle të parregullta apo ngërçe të forta, kjo mund të tregojë çekuilibër hormonal.
- Sindroma e vezoreve policistike (PCOS)
“Sindroma PCOS shkaktohet nga çekuilibri i hormoneve riprodhuese, që shpesh çon në rritje të estrogjenit,” thekson Dr. Guichard. Sipas studimeve të botuara në revistën Cells, si estrogjeni ashtu edhe receptorët e tij janë shpesh më të lartë tek gratë me PCOS.
- Të vjella dhe përzierje gjatë shtatzënisë
Gjatë shtatzënisë, nivelet e larta të estrogjenit mund të shkaktojnë përzierje, veçanërisht në tremujorin e parë. Kjo është një përgjigje natyrale e trupit ndaj ndryshimeve hormonale, por nëse simptomat janë të forta dhe të zgjatura, këshillohet vizita tek mjeku.
- Ndryshime të humorit dhe ankth
Estrogjeni ndikon drejtpërdrejt në trurin tonë, sidomos në nivelin e serotoninës, hormonit të lumturisë. Teprica e tij mund të shkaktojë ndryshime humori, ankth të shtuar apo depresion.
- Akumulim i dhjamit në zonën e ijëve dhe kofshëve
Niveli i lartë i estrogjenit nxit ruajtjen e yndyrës, veçanërisht në pjesën e poshtme të trupit. Nëse vini re shtim në peshë pavarësisht ushqyerjes së njëjtë, mund të jetë sinjal hormonal.
- Probleme me lëkurën
Teprica e estrogjenit shpesh shoqërohet me puçrra në pjesën e poshtme të fytyrës, nofull dhe qafë, si dhe me hiperpigmentime si melazma ose njolla të errëta.
- Fryrje dhe mbajtje e lëngjeve
Estrogjeni ndikon në ekuilibrin e ujit dhe kripës në trup. Prandaj, ndjenja e vazhdueshme e fryrjes dhe ënjtja mund të jenë shenja të qarta të nivelit të lartë hormonal.

- Ulje e dëshirës seksuale
Çrregullimet hormonale ndikojnë ndjeshëm në dëshirën seksuale. Teprica e estrogjenit mund të shkaktojë libido të ulët dhe thatësi vagjinale.
- Rënie ose rrallim i flokëve
Edhe pse shpesh lidhet me mungesën e estrogjenit, edhe teprica e tij mund të shkaktojë rënie të flokëve. Kjo ndodh për shkak të ndërprerjes së ciklit normal të rritjes së flokut.
- Probleme me gjumin
Estrogjeni i lartë mund të ndikojë në cilësinë e gjumit, duke shkaktuar pagjumësi, lodhje dhe ndjenjë shqetësimi, edhe pas pushimit të mjaftueshëm.
Simptomat më të zakonshme të estrogjenit të lartë, sipas ekspertëve:
▪ Cikle menstruale të çrregullta
▪ Fryrje dhe ndjenjë rëndese
▪ Ndjeshmëri në gjoks
▪ Ndryshime humori
▪ Shtim në peshë (veçanërisht në ije dhe kofshë)
▪ Dhimbje koke
▪ Lodhje kronike
▪ Ulje e dëshirës seksuale
▪ Rënie e flokëve
▪ Vështirësi në përqendrim
/Telegrafi/




















































