LAJMI I FUNDIT:

Gjithçka gati për seancën konstituive të Kuvendit (Video)

Gjithçka gati për seancën konstituive të Kuvendit (Video)

Një ditë para mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, gjithçka është gati. Salla është e gatshme, ashtu si edhe dokumentet. Kjo seancë që pritet të fillojë nesër në orën 10:00, do të drejtohet nga deputeti më i vjetër dhe ai më i ri. Këtë privilegj do ta kenë Adem Mikullovci dhe Teuta Rgova.

Adem Mikullovci do t’i rikthehet Kuvendit të Kosovës, aty ku në vitet e rënda të të 90-ve, ishte deputet i kuvendit. Ai ishte pjesë e delegatëve që shpallën deklaratën kushtetuese të 2 korrikut të vitit 1990. 27 vjet më vonë, artisti i njohur rikthehet si ligjvënës në Kuvendin e Kosovës së pavarur, në legjislaturën e 6 të tij.


Duke qenë se është deputeti më i vjetër i kësaj legjislature, atij i mundësohet të ketë nderin e udhëheqjes së kësaj séance deri në zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të këtij institucioni.

Por, Mikullovci nuk do të jetë i vetëm në drejtimin e kësaj séance. Ai do të shoqërohet nga deputetja më e re, e cila përafërsisht ka lindur në vitet kur aktori i njohur dikur si delegat luftonte për të drejtat e shqiptarëve. Deputetja Teuta Rugova do ta ketë nderin që të bashkëdrejtojë seancën për të dytën herë, raporton RTK.

Edhe në vitin 2014 ajo ishte deputetja më e re. Bazuar në rregulloren e punës së Kuvendit, kryesuesi i mbledhjes konstituive, pas hapjes së seancës dhe paraqitjes së rendit të ditës, kërkon nga partitë politike që ta caktojnë nga një përfaqësues në komisionin e përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandateve.

Pas shqyrtimit të dokumentacionit, komisioni ia paraqet Kuvendit raportin e vlefshmërisë së mandateve të deputetëve dhe verifikon kuorumin. Pastaj fillon procedura e betimit të deputetëve, për t`i lënë radhës procedurës së zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve.

Puna e kryesuesve të seancës së Kuvendit do të mbarojë me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve. Pas shpalljes së rezultatit të votimit, kryesuesi fton kryetarin e zgjedhur dhe nënkryetarët që t`i zënë vendet e tyre.