LAJMI I FUNDIT:

Gjermania zyrtarisht del nga recesioni ekonomik, tkurrja vazhdoi edhe në tremujorin e dytë të 2023-së

Gjermania zyrtarisht del nga recesioni ekonomik, tkurrja vazhdoi edhe në tremujorin e dytë të 2023-së

Ekonomia gjermane ishte në stanjacion në tremujorin e dytë të vitit 2023, ka njoftuar Zyra Federale e Statistikave (Destatis).

Megjithatë, pavarësisht mungesës së rritjes, Gjermania ka dalë zyrtarisht nga recesioni në të cilin hyri pas dy tremujorësh radhazi tkurrjeje ekonomike.


Shifrat e publikuara nga Destatis tregojnë se ekonomia më e madhe e Evropës përjetoi rritje zero nga prilli në qershor në krahasim me tremujorin e mëparshëm.

Në tremujorin e katërt të vitit 2022, prodhimi ekonomik kishte rënë me 0.4 për qind dhe në tremujorin e parë 2023 me 0.1 për qind krahasuar me tremujorët e mëparshëm.

“Pas rënieve të lehta në dy tremujorët e mëparshëm, ekonomia gjermane u stabilizua në pranverë”, tha drejtuesja e Destatis, Ruth Brand.

Eksportet, të rëndësishme për ekonominë gjermane, ranë pak në tremujorin e dytë të 2023. Nga prilli në qershor, ekonomia gjermane shënoi rritje zero krahasuar me tremujorin e mëparshëm.

Konsumi dhe investimet rriten

Ekonomia u mbështet nga përmirësimi i konsumit dhe rritja e investimeve. Pas dy rënieve të njëpasnjëshme, shpenzimet e konsumatorëve u rritën me 0.1 për qind në tremujorin e dytë të 2023 krahasuar me tremujorin e parë të 2023.

Pas zhvillimit pozitiv të tremujorit të mëparshëm, investimet janë rritur edhe në tremujorin e dytë të 2023. Për shembull, investimet në pajisje (makina dhe vetura) u rritën me 0.6 për qind, krahasuar me tremujorin paraardhës.

Sipas Destatis, eksportet, të cilat janë të rëndësishme për Produktin e Brendshëm Bruto të Gjermanisë megjithatë ranë me 1.6 për qind krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Në të njëjtën periudhë, importet ranë edhe me 1.8 për qind.

A do të vazhdojë stanjacioni?

Krahasuar me ekonomitë e tjera të mëdha perëndimore, vetëm Italia performoi më keq, me 0.3 për qind se Gjermania në tremujorin e dytë. SHBA-të shënuan rritje prej 0.6 për qind, Franca me 0.5 për qind dhe Eurozona në tërësi prej 0.3 për qind.

Në fillim të kësaj jave, Banka Qendrore e Gjermanisë parashikoi se ekonomia “pa shkëlqim” gjermane do të vazhdojë të jetë në stanjacion në tremujorin e tretë.

“Ajo po përjeton ende një periudhë dobësie”, tha Banka në raportin e saj mujor.

FMN parashikon se Gjermania do të jetë e vetmja ekonomi e madhe e zhvilluar që do të tkurret këtë vit.

Norma vjetore e inflacionit në Gjermani u ngadalësua në 6.2 për qind në korrik, kryesisht për shkak të çmimeve më të ulëta të energjisë, por ajo mbetet shumë mbi objektivin prej 2 për qind të vendosur nga Banka Qendrore Evropiane. /Deutsche Welle/