LAJMI I FUNDIT:

Gjermania kërkon 337,900 ekspertë të fushave të ndryshme

Gjermania kërkon 337,900 ekspertë të fushave të ndryshme

Në Gjermani është rritur dukshëm kërkesa për punëtorë të kualifikuar në të ashtuquajturat profesionet natyrore-teknike, kurse mungesa e punëtorëve në fushën e shkencave natyrore dhe teknologjisë ka arritur shifra rekorde, ka njoftuar të hënën Instituti për ekonominë gjermane në Këln.

“Vetëm gjatë tetorit kompanive gjermane u mungonin 337,900 punëtorë në fushën e matematikës, informatikës, shkencat natyrore dhe inxhinierisë, që është një numër rekord në rritje prej 6 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë kohore gjatë vitit 2017”, thuhet në studimin e këtij instituti, transmeton Telegrafi.


Ekspertët pajtohen se një mungesë e tillë drastike e punëtorëve në këto fusha nuk do të mund të mbulohet edhe nëse fuqia punëtore vjen nga jashtë, pasi nevojiten investime dhe përpjekje shtesë në programet arsimore.

“Shanset që na i ofron digjitalizimi mund t’i shfrytëzojmë ,vetëm nëse sistemi ynë arsimor i përgatit për të ardhmen e tregut fëmijët tanë”, thuhet ndër tjera në shoqatën e punësimit në Gjermani (BDA).

Kujtojmë se vetëm gjatë këtij muaji në Gjermani janë evidentuar mungesa të mëdha të fuqisë punëtore – 1,2 milion, që konsiderohet si shifra më e madhe që ndonjëherë është regjistruar në këtë vend. /Telegrafi/