Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës(FSK), gjenerallejtënant Rrahman Rama me ftesë të Komandantit të Gardës Kombëtare të Aiovës, po qëndron për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës(ShBA).

Me këtë rast, gjenerallejtënant  Rrahman Rama fillimisht u prit nga Guvernatori i shtetit Aiova,  Terry E. Branstad, takim ky i cili ishte edhe  konfirmim për vazhdimin e bashkëpunimit në kudër të partneritetit shtetëror të Republikës së Kosovës me shtetin e Aiovës së SHBA-ve.


Rama e falënderoi Guvernatorin Branstad  për përkrahjen që shteti i Aiovës i ka dhënë dhe po vazhdon t’i jap gjatë këtyre viteve shtetit të Kosovës si dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës në veçanti, duke e njoftuar Guvernatorin edhe për zhvillimin, të arriturat si dhe planet për të ardhmen e FSK-së e gjithashtu.

Komandanti i FSK-së, gjeneral Rama si dhe Guvernatori i shtetit Aiova, Terry Brandstad në takim u shprehen të gatshëm për thellimin dhe avancimin e bashkëpunimit në kuadër të “Partneritetit shtetëror Kosova – Aiova”.

Më tej, gjatë vizitës në ShBA, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama zhvilloi takim edhe me komandantin e Gardës Kombëtare të Aiovës, gjeneral Timothy Orr.

Me këtë rast, gjeneral Rama e falënderoi gjeneralin Orr për përkrahjen që Garda Kombëtare e shtetit Aiova ka dhënë për FSK-në  e gjithashtu e njoftoi atë mbi të arriturat e FSK-së si dhe për planet dhe synimet për të ardhmen e saj.

Gjithashtu, në takim me gjeneral Ramën, Komandanti i Gardës Kombëtare të shtetit të Aiovës, gjeneral Orr konfirmoi gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit edhe në të ardhmen në shumë fusha, për të cilat ka gatishmëri nga të dy palët, e që janë të parapara mbi bazën e marrëveshjes së bashkëpunimit. /Telegrafi/