Gjendja me vërshime është rënduar në Lipjan

Komuna e Lipjanit ka njoftuar se si pasojë e reshjeve të vazhdueshme të shiut, gjendja me vërshime është rënduar ndjeshëm në territorin e komunës.
Sipas njoftimit të Komunës së Lipjanit, vërshime janë evidentuar në shumicën e fshatrave, ndërsa gjendja më e rënduar paraqitet në lokalitetet: Rubovc, Konjuh, Qylagë, Banullë, Akllap, Smallushë, Hallaq i Vogël, Rufc dhe Gadime.
Si pasojë e reshjeve intensive, janë dëmtuar dy ura, njëra në fshatin Smallushë dhe tjetra në Gadime të Epërm, si dhe janë shkaktuar dëme në infrastrukturën publike dhe në ekonomi familjare.
Komuna e Lipjanit ka bërë të ditur se ka themeluar Shtabin Emergjent, i cili është aktiv dhe në koordinim të vazhdueshëm me institucionet relevante. Ekipet komunale janë në terren dhe po menaxhojnë situatën, duke ofruar ndihmë sipas nevojave të paraqitura.
Po ashtu, autoritetet komunale janë në koordinim të plotë me Stacionin Policor në Lipjan dhe Njësinë e Zjarrfikësve të Lipjanit, me qëllim të reagimit të shpejtë dhe menaxhimit sa më efikas të situatës emergjente.
Komuna e Lipjanit ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin, duke i ftuar që të tregojnë kujdes të shtuar deri në stabilizimin e plotë të gjendjes./Telegrafi/
















































