Policia e Kosovës ka bërë të ditur se është gjetur personi i raportuar si i zhdukur nga familjarët në Leposaviq.

Sipas njoftimit policor, më 28 prill 2026 familjarët kishin raportuar në Stacionin Policor në Leposaviq zhdukjen e personit me inicialet M.S., i lindur në vitin 1990.


Familjarët kishin deklaruar se ai kishte herë pas here probleme psikike dhe se në kontaktin e fundit kishte qenë në Serbi, duke paralajmëruar kthimin në Kosovë.

Policia ka ndërmarrë menjëherë veprime hetimore dhe ka njoftuar stacionet policore dhe pikat kufitare.

Nga hetimet është konstatuar se personi kishte hyrë në Kosovë më 28 prill dhe po atë ditë kishte qëndruar në Manastirin e Deçanit, për t’u larguar më pas në drejtim të panjohur.

Pas koordinimit ndërmjet njësive policore dhe veprimeve operative në terren, më 17 maj rreth orës 10:00, personi është gjetur nga njësitë patrulluese policore në zonën e Deçanit.

Familjarët janë njoftuar për rastin, ndërsa sipas policisë gjendja e tij shëndetësore aktualisht është stabile. /Telegrafi/