LAJMI I FUNDIT:

Gjendet diamanti me ngjyrë të kaltër, mund të jetë më i shtrenjti në botë (Foto)

Gjendet diamanti me ngjyrë të kaltër, mund të jetë më i shtrenjti në botë (Foto)

Kompania shtetërore e Botsvana, “Okavango Diamond”, zbuloi të mërkurën diamantin më të madh me ngjyrë të kaltër, të gjetur ndonjëherë në vendin e Afrikës jugore.

“20.46 karatë, guri i çmuar është një nga më të rrallët në botë “, tha kompania në një deklaratë.


Guri në formë ovale është quajtur ‘Okavango Blue’ për nder të Delta Okavango, vendi i trashëgimisë botërore, i pasur me kafshë të egra të vendit. Është  një nga diamantet më të rralla natyrore.

“Është jashtëzakonisht e pazakontë që një gur i kësaj ngjyre dhe natyre të ketë ardhur nga Botsvana – një gjetje që ndodh një herë në jetë “, tha drejtori menaxhues i kompanisë “Okavango Diamond”, Marcus ter Haar.

“Është pak e çuditshme që diamantet e kaltër kërkohen aq shumë përreth botës, pasi vetëm një përqindje shumë e vogël e diamanteve të botës klasifikohen si ngjyra të zbukuruara”, shtoi ai.

Diamantet e kaltër përbëjnë vetëm rreth 0.02 për qind të diamanteve të gjetur në miniera, por përfshijnë disa nga bizhuteritë më të famshme në botë, duke përfshirë edhe “Hope Diamond”, i cili është shumë i famshëm pasi ka kaluar  nëpër duart e monarkëve, bankierëve, trashëgimtarëve dhe hajdutëve përpara se të ruhej për tu parë nga të gjithë në Muzeun Kombëtar në Uashington DC.

Ngjyra e kaltër e ndritshme e diamanteve i atribuohet mineralit të borit, i cili ishte i pranishëm në shkëmbinjtë e oqeaneve kur diamanti u formua rreth 1 deri 3 miliard vjet më parë.

Botsvana është një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të diamanteve, të cilët janë burimi i saj kryesor i të ardhurave dhe përbëjnë rreth 80 për qind të eksporteve të saj.

Sipas Ter Haar vetëm disa gurë të tillë të kaltër kanë ardhur në treg në dekadën e fundit. Kompania thotë se diamanti pritet të shitet në fund të vitit dhe mund të rivalizojë “Hope Diamond”, i cili është i siguruar për 250 milionë dollarë. Edhe pse “Hope Diamond” është më i madh se ky i gjeturi, ‘Okavango Blue’ ka qartësi. /tch/