Tensioni po rritet në Kataluni përpara ndeshjes së fundit të Barcelonës në fazën e ligës së Ligës së Kampionëve, që do të luhet të mërkurën, më 28 janar.

Barcelona e mbylli fazën e ligës sezonin e kaluar në vendin e dytë pa shumë vështirësi, por këtë edicion gjërat kanë qenë dukshëm më të komplikuara. Para ndeshjes finale, katalanasit ende nuk e kanë të sigurt kualifikimin automatik në fazën e 1/8 së finales përmes një renditjeje në tetëshen e parë.


Hansi Flick dhe lojtarët e tij janë të vendosur ta shmangin raundin e playoffit, por paraqitjet e paqëndrueshme në Evropë do të thonë se gjithçka do të vendoset në përballjen e tetë të kësaj faze.

Ja çfarë duhet të arrijë Barça për të siguruar kalimin direkt në 1/8 e finales të Ligës së Kampionëve:

Barcelona hyn në ndeshjen e fundit të fazës së ligës jashtë tetëshes së parë, por fitorja 4–2 ndaj Slavia Prague e ka ngritur në vendin e nëntë të renditjes. Aktualisht, katalunasit kanë 13 pikë, po aq sa edhe shtatë skuadra të tjera, përpara përballjes së favorshme ndaj FC Copenhagen në “Camp Nou”.

Për të siguruar një vend në top tetë, fitorja ndaj danezëve është e domosdoshme. Tri pikë të tjera do t’i jepnin Barcelonës shanse shumë të mira për kualifikim direkt, sidomos duke pasur parasysh se dy skuadra që janë mbi ta në renditje, Paris Saint-Germain dhe Newcastle United, do të përballen mes vete në xhiron e fundit.

Megjithatë, me Chelsea, Sporting CP, Manchester City, Atletico Madrid dhe Atalanta që kanë gjithashtu nga 13 pikë, diferenca e golave pritet të jetë vendimtare nëse skuadrat përfundojnë me pikë të barabarta. Barcelona ka aktualisht golavarazh +5, por është më e dobët në këtë aspekt krahasuar me PSG, Newcastle dhe Chelsea, ndërsa është në të njëjtin nivel me Sportingun.

Për këtë arsye, Flick dhe skuadra e tij nuk do të kërkojnë vetëm fitoren ndaj Copenhagen, por një fitore sa më bindëse për të rritur gjasat e përfundimit në tetëshen e parë.

Një barazim do t’i zvogëlonte ndjeshëm shpresat e Barcelonës për kualifikim automatik, pasi do të varej nga dështimet e skuadrave të tjera me pikë të barabarta, si dhe nga rezultatet e Interit, Juventusit dhe Borussia Dortmundit. Një humbje do të ishte pothuajse fatale.

Sa u përket rivalëve direkt me nga 13 pikë, Chelsea ka përballjen më të vështirë, pasi udhëton te kampioni aktual i Serie A, Napoli. Sporting do të ketë një transfertë të komplikuar te Athletic Club, ndërsa Manchester City pret Galatasarayn. Atletico Madridi pret Bodo/Glimt, Atalanta udhëton te Union Saint-Gilloise, ndërsa PSG pret Newcastle në Francë.

Gjithsesi, Flick e di se Barcelona e ka të sigurt të paktën kualifikimin në fazën me eliminim direkt. Fitorja ndaj Slavia Prague ka garantuar një vend në raundin playoff, por në “Camp Nou” janë të vendosur të shmangin edhe dy ndeshje shtesë.

Mungesa e një vendi në tetëshen e parë nuk do të ishte fundi i botës. Kampioni aktual i Evropës, PSG, sezonin e kaluar e mbylli fazën e ligës vetëm në vendin e 15-të, ndërsa Bayern Munich, Borussia Dortmund dhe Real Madridi arritën deri në çerekfinale pa u kualifikuar automatikisht në 1/8 e finales./Telegrafi

telegrafi sport app