Pesë gola në kampionat dhe një het-trik në ndeshjen e fundit në shtëpi të Crystal Palace ndaj Bournemouthit. Madje mund të kishte qenë edhe poker, po të mos e kishte humbur rastin në minutat e fundit të ndeshjes.

Por Jean-Philippe Mateta ka zgjedhur këtë mënyrë për t’u rikthyer fuqishëm në Ligën Premier. Sulmuesi francez, i ndjekur prej kohësh prej disa klubeve, po kalon periudhën më të ndritshme të karrierës së tij.


Pas një sezoni të kaluar të jashtëzakonshëm me 14 gola dhe 2 asistime në kampionat, fitoren në FA Cup ndaj Manchester Cityt dhe triumfin në Community Shield, Mateta ka kurorëzuar rrugëtimin e tij me thirrjen e parë në Kombëtaren e Francës, të cilën e nisi në mënyrën më të mirë të mundshme – me gol kundër Islandës në debutim.

Jean-Philippe Mateta

Nga rrënjët deri te ëndrra e realizuar

Historia e Matetës fillon shumë më herët. I lindur në Paris nga një familje me origjinë kongoleze, Jean-Philippe u rrit duke admiruar babain e tij – një ish-futbollist profesionist, karriera e të cilit përfundoi për shkak të problemeve fizike. Pikërisht për këtë arsye, babai i tij nuk dëshironte që i biri të ndiqte të njëjtën rrugë.

Por ishte nëna e Matetës ajo që ndryshoi gjithçka: ajo i dha trajnerit të skuadrës së lagjes numrin e telefonit të djalit, duke i hapur derën drejt ëndrrës.

Pas hapave të parë në Sevran dhe Drancy, Mateta kaloi te Chateauroux, ku nënshkroi kontratën e parë gjysmëprofesionale dhe shënoi 11 gola në 22 ndeshje në kategorinë e tretë franceze. Këto paraqitje e çuan në Lyon, por shpërthimi i vërtetë erdhi te Le Havre, ku realizoi 17 gola, duke e dërguar ekipin deri në “play-off”.

Kështu nisi edhe aventura jashtë Francës: fillimisht në Bundesligë me Mainz, e më pas transferimi në Crystal Palace, ku sot është bërë simbol i skuadrës. Pas periudhave të vështira nën drejtimin e Vieira dhe Hodgson, ardhja e trajnerit Oliver Glasner ndryshoi gjithçka. Austriaku pa te Mateta vendosmëri dhe disiplinë, duke e shndërruar në një nga shtyllat e sistemit të tij.

Ritual i veçantë: Fanella e futur brenda

Përveç golave, Mateta bie në sy edhe për një detaj të veçantë: mban gjithmonë fanellën e futur brenda pantallonave. Një gjest që tifozët e kanë kthyer në “shenjën e tij të dallimit”.

Në një intervistë, ai ka treguar se kjo nisi si shaka, por u kthye në ritual fatbardhës që i kujton vitet e fëmijërisë.

Glasner nuk e kundërshton – përkundrazi, thotë se për sa kohë i sjell fat, nuk ka arsye ta ndryshojë.

Nga argjendi olimpik te Kombëtarja A

Mateta duhej të priste 28 vjet, 3 muaj e 11 ditë për thirrjen e parë në Kombëtaren A të Francës. Por para se të mbërrinte aty, ai kishte spikatur në Lojërat Olimpike “Paris 2024” nën drejtimin e Thierry Henry.

Në ato lojëra, Mateta shënoi në fitoren 3-0 ndaj Zelandës së Re, pastaj realizoi gol vemdimtar kundër Argjentinës në çerekfinale dhe dy gola kundër Egjiptit në gjysmëfinale. Edhe në finale e gjeti rrjetën, por Franca u mposht 5-3 nga Spanja, duke u mjaftuar me medaljen e argjendtë.

Lidhja me Glasner dhe rilindja në Ligën Premier

Mes Glasnerit dhe Matetës është krijuar një raport besimi dhe respekti të ndërsjellë. Sulmuesi, i cili në Gjermani kishte realizuar 27 gola me Mainz në tri sezone, ka gjetur te sistemi 3-4-2-1 të austriakut ambientin ideal për të shprehur potencialin e tij.

Në këtë skemë, ai nuk është thjesht finalizues, por luan në presing, bashkëpunon me mesfushorët dhe krijon hapësira për shokët e skuadrës.

Glasner, i njohur për aftësinë e tij në zhvillimin e qendërsulmuesve – nga Wout Weghorst te Wolfsburg e deri te Kolo Muani te Eintracht Frankfurt – duket se ka gjetur projektin e radhës të suksesshëm.

Me Jean-Philippe Matetën, ai ka ringjallur një sulmues që tani ka fituar jo vetëm besimin e trajnerit, por edhe vlerësimin ndërkombëtar që e ka kërkuar gjatë gjithë karrierës. /Telegrafi/

telegrafi sport app