LAJMI I FUNDIT:

Gerhard Schroder humb privilegjet

Gerhard Schroder humb privilegjet

Ish-kancelari gjerman, Gerhard Schroder pretendon se i takon një zyrë dhe staf i financuar nga shteti. Por Gjykata e refuzoi këtë kërkesë.

Lidhjet e ish-kancelarit gjerman Gerhard Schroder me Kremlinin dhe Vladimir Putinin janë të thella. Politikani dhe ish-kancelari socialdemokrat gjerman në periudhën 1998-2005 e ka mbrojtur në të kaluarën në shumë raste mikun e tij rus Vladimir Putin, duke pretenduar se ai është “100% demokrat”. E kjo nuk është në përputhje me politikën gjermane dhe perëndimore, në veçanti pas agresionit të Rusisë në Ukrainë.


Miqësia me Putinin dhe mllefi i opinionit

Ish kancelari dhe avokati nga Hanoveri e pagoi besnikërinë e tij ndaj Putinit me një sërë pozicionesh shumë fitimprurëse në kompanitë shtetërore ruse të energjisë si Gazprom apo Rosneft. Për vite me radhë, publiku gjerman ndoqi aktivitetet e turpshme të Schroderit, por gjithçka mbeti vetëm tek kritikat individuale.

Publiku herë pas here ka kritikuar aktivitetet e politikanëve pas largimit nga detyra, e në këtë kuptim as Schröder nuk bën përjashtim. Por alarmi i madh u ngrit pas sulmit rus ndaj Ukrainës më 24 shkurt 2022, kur ish-kancelari socialdemokrat, për indinjatën e publikut dhe partisë së tij, refuzoi të dënojë këtë sulm dhe mbrojti vazhdimisht mikun e tij nga Kremlini, e këtë vazhdon ta bëjë edhe sot e kësaj dite.

I hiqet e drejta për zyrë dhe staf

Kjo është arsyeja pse Komisioni i Buxhetit i Bundestagut mori një vendim në maj të vitit të kaluar për t’i hequr të drejtën ish-kancelarit për të financuar zyrën e tij dhe pesë punonjës nga paratë e shtetit. Vendimi nuk u shpjegua me aktivitetet e turpshme të Shroderit për Kremlinin, por u mbështet në një vendim të miratuar më parë, sipas të cilit ish-kancelarët (dhe kancelari) kanë të drejtë për një zyrë të financuar vetëm nëse aktivitetet kanë të bëjnë me përdorimin e zyrës në lidhje me funksionin e mëparshëm. Le të themi kur bëhet fjalë për marrjen përsipër të patronazhit të një ngjarjeje ose shoqate, ose kur një ish-kancelar apo ish-kancelarja mban fjalime në atë cilësi.

Në rastin e Gerhard Schroder, kjo nuk mund të dallohej. Duhet shtuar se, pas mbështetjes së Putinit dhe mosdënimit të sulmit në Ukrainë, nga zyra e tij u larguan vullnetarisht të gjithë punonjësit dhe u kthyen në punët e tyre të vjetra.

Vendimi i Bundestagut

Politikani 79-vjeçar e ankua ndaj këtij vendimi. Por Gjykata Administrative në Berlin e ka hedhur poshtë ankesën. “Bundestagu mund të vendosë vetë se për çfarë do të shpenzojë paratë”, thuhet në shpjegimin e vendimit të Gjykatës. Në shpjegim thuhet gjithashtu se megjithëse ekziston një praktikë 50-vjeçare e vënies në dispozicion të zyrave dhe stafit për ish-kancelarët, kjo nuk rezulton në një të drejtë që mund të fitohet përmes gjykatave.

Ish-kancelari tani mund ta apelojë këtë vendim. Avokatët e tij sqaruan se klienti i tyre nuk dëshironte të dilte para gjykatës, por i është pamundësuar që këtë problem ta zgjidhë përmes bisedave.

Gerhard Schroder ka pas vetes edhe një procedurë për përjashtimin nga partia e nisur nga dega e tij lokale e SPD-së. Krerët e partisë, megjithatë, vendosën që ish-kancelari dhe ish-kryetari i socialdemokratëve mund të qëndrojë në parti me shpjegimin se “ai nuk e ka dëmtuar partinë”.

Kjo çështje ka rindezur debatin edhe rreth rregullave aktuale. Zyra e Gerhard Schröder, pavarësisht se ai ka të ardhura prej miliona euro nga aktivitetet për koncernet shtetërore ruse, është paguar nga paratë e taksapaguesve në vlerë prej 419.000 euro në vitin 2021. Por edhe më e shtrenjtë se Schroder është pasardhëjsa e tij, Angela Merkel. Zyra e saj me nëntë punonjës kushton 648.000 euro në vit. /dw/

Në trend Botë

Më shumë
Mbretëria e Bashkuar do ta furnizojë Ukrainën me bomba me laser që mund të godasin

Mbretëria e Bashkuar do ta furnizojë Ukrainën me bomba me laser që mund të godasin "objektivat e buta" ruse

Evropa
A e ka fituar Ukraina fuqinë për të degraduar forcat ruse me raketat e reja amerikane?

A e ka fituar Ukraina fuqinë për të degraduar forcat ruse me raketat e reja amerikane?

Botë
Çfarë dihet për varrezat masive në Gaza dhe çfarë ka ndodhur me ato të zbuluara në vende të tjera më parë?

Çfarë dihet për varrezat masive në Gaza dhe çfarë ka ndodhur me ato të zbuluara në vende të tjera më parë?

Botë
Lukashenko: Në Bjellorusi janë vendosur dhjetëra armë bërthamore ruse

Lukashenko: Në Bjellorusi janë vendosur dhjetëra armë bërthamore ruse

Botë
Mbrojtja palestineze nxjerr 50 trupa nga varri masiv në Khan Younis të Gazës

Mbrojtja palestineze nxjerr 50 trupa nga varri masiv në Khan Younis të Gazës

Azia
Skandali i ri diplomatik i Vuçiqit në New York – ofendoi sllovenët, vjen reagimi i ashpër i Lubjanës zyrtare

Skandali i ri diplomatik i Vuçiqit në New York – ofendoi sllovenët, vjen reagimi i ashpër i Lubjanës zyrtare

Botë
Kalo në kategori