Përplasje në BE, shtatë vende kritikojnë Slloveninë për emërimin e Tanja Fajon në një post të lartë

Shtatë vende anëtare të Bashkimit Evropian, përfshirë Francën dhe Spanjën, kanë kritikuar vendimin e Sllovenisë për të penguar emërimin e ish-ministres së saj të Jashtme, Tanja Fajon, në një post të lartë në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS) në Bruksel.
Sipas Euractiv, Fajon, politikane socialiste dhe ish-kandidate për postin e të dërguarës speciale të BE-së për rajonin Sahel në Afrikë, u bllokua muajin e kaluar pas ndërhyrjes së qeverisë së krahut të djathtë të Janez Janšës. Pas presionit nga Lubjana, shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, propozoi kandidaten e dytë në listë, Birgitte Nygaard Markussen, e cila më pas u emërua në këtë detyrë.
Qeveria sllovene ka nisur gjithashtu procedura penale ndaj Fajon, duke pretenduar se ajo nuk kishte respektuar rregullat kur aplikoi për postin ndërsa ishte ministre në largim. Fajon i ka mohuar akuzat dhe e ka cilësuar veprimin si hakmarrje politike.
Gjatë mbledhjes së ambasadorëve të BE-së më 22 korrik, disa vende shprehën shqetësim për mënyrën e trajtimit të procesit. Franca kritikoi mungesën e transparencës, ndërsa Spanja vuri në dyshim kohën e kufizuar për vlerësimin e kandidates së re dhe ndikimin e këtij rasti në funksionimin e EEAS.
Belgjika kërkoi gjithashtu një vlerësim ligjor mbi rolin e qeverive kombëtare në emërimin e përfaqësuesve të posaçëm të BE-së. Edhe Rumania, Luksemburgu dhe Sllovakia kritikuan procesin.
EEAS mbrojti vendimin duke argumentuar se kishte nevojë urgjente për të plotësuar postin deri më 1 shtator, veçanërisht pas zhvillimeve diplomatike në rajonin Sahel, përfshirë vizitën e ministrit të Jashtëm rus Sergej Lavrov në Burkina Faso.
Diskutimi për këtë çështje pritet të rikthehet pas pushimeve të verës.





































