LAJMI I FUNDIT:

Gazetari serb: Asociacioni, një fitore e madhe për Albin Kurtin

Gazetari serb: Asociacioni, një fitore e madhe për Albin Kurtin

Gazetari serb Branislav Krstiq, duke folur rreth marrëveshjeve të dakorduara në Bruksel e Ohër mes Kosovës dhe Serbisë, Asociacionin (e komunave me shumicë serbe) e ka quajtur fitore të madhe për kryeministrin Albin Kurti.

Ai ka thënë se Kurti ka bërë fushatë kundër Asociacionit në mënyrë që ai të mos ketë kompetenca ekzekutive.


“Me fushatën e tij, ai arriti të bindë Administratën amerikane se Asociacioni mund të mos ketë kompetenca të tilla ekzekutive të cilat do të prishnin në njëfarë mënyre rendin kushtetues të shtetit të Kosovës”, tha ai.

Ai, në emisionin “Kallxo Përnime”, ka thënë gjithashtu që në të kaluarën presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ishte i bindur që asnjëherë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe se Kosova “është zemra e Serbisë”.

“Kemi arritur në atë pikë që Vuçiqi pajtohet se vetëm Asociacioni është zemra e Serbisë. Një gjë nuk është bindëse; A njihni çfarëdo shteti në Evropë i cili lejon që provinca e tij të lëshojë dokumente ligjore? Nuk ekziston diçka e tillë. Prandaj Kosova është shtet, në bazë të asaj që ka pranuar Aleksandar Vuçiq me pranimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe anekset e Ohrit”, tha ai.

Kryeministri Albin Kurti lidhur me draftimin e statutit për vetëmenaxhimin e komunitetit serb në Kosovë sipas Planit të BE-së kishte thënë që në vitin 2020 ishte emëruar një ekip prej 6 personave që do punonte në draftin e Asociacionit.

“Ekipi që do draftonte këtë statut është prej gjashtë personave të cilët janë emëruar në shtator të vitit 2020 dhe vendimin për këtë e ka bërë ish zv/kryeministri i atëhershëm, Goran Rakiq nga Lista Serbe. Këta gjashtë persona janë dy serbë nga veriu, dy nga jugu, shefi i OSBE-së dhe ministri i Pushtetit Lokal. Në bazë të marrëveshjes së vitit 2015, ky ekip do duhej të draftojë statutin e Asociacionit”, ishte shprehur Kurti. /Kallxo/