LAJMI I FUNDIT:

Gazetari bjellorus i cili u arrestua nga avioni i rrëmbyer shfaqet me një deklaratë në televizionin shtetëror

Gazetari bjellorus i cili u arrestua nga avioni i rrëmbyer shfaqet me një deklaratë në televizionin shtetëror

Një gazetar disident i cili u mor në mënyrë dramatike nga një aeroplan i Ryanair me të dashurën e tij ruse dhe u arrestua nga regjimi bjellorus gjatë një rrëmbimi ‘të egër’ të dielën është shfaqur në TV shtetëror për të thënë se ai po ‘rrëfen’ për organizimin e protestave masive.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Roman Protasevich, një kritik i shquar i diktatorit Alexander Lukashenko i kërkuar në Bjellorusi, u arrestua pasi fluturimi i tij nga Greqia në Lituani u devijua në Minsk nga një aeroplan lufte me pretekstin e një kërcënimi për bombë.


Siç thuhet më tej, 26-vjeçari, i cili po përballet me akuza që mbartin dënimin me vdekje, tani ka thënë se po bashkëpunon me hetuesit dhe po ‘rrëfen’ për organizimin e protestave anti-regjim vitin e kaluar, në një video e cila po shfaqet nga media shtetërore.

Por mbështetësit e tij thanë se ai pothuajse me siguri po torturohej.

Protasevich gjithashtu mohoi të kishte probleme shëndetësore pas raporteve se ai ishte në spital me probleme me zemër – pretendime të mohuara nga Ministria e Brendshme Bjelloruse të hënën.

“Unë jam në Qendrën e Paraburgimit Nr.1 në Minsk. Mund të them se nuk kam probleme shëndetësore, përfshirë zemrën time ose ndonjë organ tjetër”, citohet të ketë thënë ai në klipin që duket se është filmuar në një kamerë telefonike.

“Qëndrimi i punonjësve ndaj meje është aq më korrekt që të jetë e mundur dhe sipas ligjit. Unë vazhdoj të bashkëpunoj me hetuesit dhe po rrëfej se kam organizuar trazira masive në qytetin e Minsk”, tha Protasevich.

Ndërkohë, liderja e opozitës në internim, Svetlana Tikhanovskaya, e cila më parë është shfaqur në një video të ngjashme të publikuar nga media shtetërore në të cilën ajo u kërkoi mbështetësve të saj të mos protestojnë pas zgjedhjeve të vitit të kaluar, tha se videoja u bë nën ‘presion fizik dhe moral’ dhe bëri thirrje për lirimin e “menjëhershëm” të tij.

Zonja Tsikhanouskaya më parë ndezi frikën se Protasevich kishte të ngjarë të ishte në ‘rrethana të tmerrshme’ dhe duke u torturuar, duke i thënë Sky News: ‘Ne me të vërtetë kemi frikë, jo vetëm për lirinë e tij por për jetën e tij’.

Dëshmitarët rrëfejnë momentin kur gazetari disident bjellorus Raman Pratasevich e kuptoi se avioni ku gjendej edhe ai po ‘rrëmbehej nga qeveria e tij’
Lexo po ashtu Dëshmitarët rrëfejnë momentin kur gazetari disident bjellorus Raman Pratasevich e kuptoi se avioni ku gjendej edhe ai po ‘rrëmbehej nga qeveria e tij’

Këto deklarata vijnë ndërsa udhëheqësit e BE-së ranë dakord të vendosin sanksione të reja ndaj Bjellorusisë, duke përfshirë ndalimin e përdorimit të hapësirës së saj ajrore dhe aeroporteve – me presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel që tha se Minski po luante ‘ruletë ruse me jetën e civilëve të pafajshëm’ dhe i quajti ngjarjet ‘të papranueshme, tronditëse dhe skandaloze’.

Ndërsa presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se incidenti ishte një ‘rrëmbim’. Ajo tha: ‘Ky është një sulm ndaj demokracisë. Ky është një sulm ndaj lirisë së shprehjes. Dhe ky është një sulm ndaj sovranitetit evropian. Dhe kjo sjellje e egër ka nevojë për një përgjigje të fortë’.

Në anën tjetër, presidenti i SHBA-së, Joe Biden të hënën e quajti devijimin e detyruar të avionit tregtar të pasagjerëve “një sulm i drejtpërdrejtë me normat ndërkombëtare” dhe dënoi veprimin si një “incident të egër”.

‘Shtetet e Bashkuara bashkohen me vendet në të gjithë botën për të bërë thirrje për lirimin e tij, si dhe për lirimin e qindra të burgosurve politikë të cilët janë ndaluar padrejtësisht nga regjimi i Lukashenkos’. /Telegrafi/