LAJMI I FUNDIT:

Gazetarët e shqetësuar për nismën ligjore lidhur me raportimin për fëmijë

Gazetarët e shqetësuar për nismën ligjore lidhur me raportimin për fëmijë

Gazetarët e Kosovës janë shqetësuar me një nismë ligjore të ndërmarr nga Zyra e Kryeministrit, me ç’rast pretendohet që të kontrollohen mediat online në lidhje me raportimin për fëmijë.

Kjo iniciativë është ndërmarrë nga UNICEF-i dhe është përkrahur nga Zyra e Kryeministrit.


Imer Mushkolaj nga Këshilli i Medieve të Shkruara tha se kjo nismë është kundër medieve sepse Qeveria nuk mund ta rregullojë mënyrën e raportimit për fëmijë.

“Kemi analizuar rregulloren dhe ka probleme ligjore. Është absurde që një rregullore të hartohet para se të ekzistojë ligji për mbrojtjen e fëmijëve. Është hera e parë që Qeveria do të vë nën kontroll mediat online dhe të shtypura. Nëpërmjet kësaj rregulloreje Qeveria do t’ia marrë kompetencat e Komisionit të Pavarur për Media”, tha Mushkolaj.

Sipas tij, Këshilli i Mediave të Shkruara dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kanë kërkuar  sqarim nga Zyra e kryeministrit por një gjë e tillë sipas Mushkolajt nuk ka ndodhur, transmeton KP.

“Kërkojmë nga Zyra e Kryeministrit që brenda 10 ditëve të na informojë për këto veprime. Dëshpërimi jonë është edhe më i madh pavarësisht se është hartuar një rregullore për mediat dhe mediat nuk janë konsultuar”, tha Mushkolaj.

Edhe kryetari i AGK-së, Shkëlqim Hysenaj tha se rregullorja është e papranueshme.