LAJMI I FUNDIT:

Gazetarët afganë të strehuar në Kosovë

Gazetarët afganë të strehuar në Kosovë

Amina Omid, 27 vjeçe, lindi në provincën Ghor në Afganistan. Ka gjashtë vjet që ajo ushtron profesionin e gazetares, të cilin e kishte zgjedhur me shpresën për të ndihmuar për çështjet që ndërlidhen me gratë dhe përfshirjen e tyre në jetën publike, në arsim e punësim.

“Kam realizuar më shumë se 40 intervista me gra nga parlamenti, aktiviste dhe të tjera gra që po mundoheshin të ndërtonin diçka për veten e tyre. Kam publikuar shumë artikuj mbi këndvështrimet e grave qoftë në nivel të lartë të qeverisë apo në parlament”, thotë ajo.


Përgjatë punës, Amina thotë se themeloi një platformë të re “Hamasa-e-Tagher”.

“Aty shkruanim për shëndetin, bujqësinë, sëmundjet, prindërimin dhe se si mund të përmirësojmë jetën e njerëzve në përgjithësi. Ky lloj angazhimi ishte shumë i rëndësishëm meqë njerëzit në fshatra kishin nevojë për informacione të tilla. Kështu që ishte vendim i mirë për mua dhe ekipin”, rrëfen Amina.

Punën në këtë platformë ajo e vazhdoi deri në shtator të vitit 2021, një muaj pasi qeveria e Afganistanit u rrëzua dhe talebanët morën kontrollin e vendit. Por me rrethanat e reja, Amina thotë se u angazhua në mediumin Bolaq Analyst Network.

“Për këtë media unë kam realizuar shumë intervista mbi gjenocidin ndaj grupit etnik Hazara. Ata po përpiqeshin të krijonin një arkiv kështu që unë po u ndihmoja duke punuar në provinca të ndryshme në Afganistan prej nga tregoja se çfarë po ndodhte me qendrat e edukimit, spitalet. Prandaj ishte kjo punë e imja me të cilën talebanët kishin problem serioz”, thotë ajo.

Nga ajo kohë, Amina thotë se ka filluar përndjekja e saj.

“Pas rrëzimit të qeverisë ne po përpiqeshim të vazhdonim punën tonë si gazetarë, por ishte shumë e vështirë. Jemi përballur me shumë probleme dhe e dinim se mund të vriteshim nga talebanët. Ishte e frikshme sepse ata silleshin shumë keq posaçërisht ndaj gazetarëve. Kur talebanët erdhën në zyrat tona, morën diçka,, thyen diçka dhe pastaj më dërguan një letër duke më ftuar në zyrën e tyre, unë thjesht ndjeva se ajo mund të ishte dita e fundit e jetës sime”, rrëfen ajo.

Nëpërmjet një organizate për lirinë e mediave, Amina arriti të largohej nga Afganistani për në Pakistan ku qëndroi për një vit e gjysmë. Edhe në Pakistan, ajo rrëfen të ketë pasur shumë vështirësi e frikë nga talebanët. Sot, Amina është strehuar në Prishtinë. Ajo është pjesë e grupit të gazetarëve që Kosova ka strehuar në kuadër të programit “gazetarët në rezidencë”.

Amina punon në zyrat e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, ku thotë se ka gjetur siguri dhe mirëpritje. Por ankthi për kolegët dhe familjarët vazhdon të rëndojë jetën e saj.

“Unë jam në një vend të sigurt, por çfarë do të ndodhë me ta, ndoshta talebanët do t’i gjejnë, t’i çojnë në burg apo t’i vrasin. Sa herë flasim në telefon më kërkojnë të gjej ndonjë mënyrë për t’i larguar nga atje, por për fat të keq unë nuk kam ndonjë mundësi t’i ndihmoj”, thotë Amina.

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, i tha Zërit të Amerikës se po bëhet çdo përpjekje për të ndihmuar kolegët afganë të punojnë si gazetarë nga Kosova, në një mjedis të sigurt.

“Këta janë gazetarë të cilët kanë punuar në media të pavarura, kanë bërë gazetari të pavarur dhe qëndrimi i tyre në Afganistan ka qenë i pamundur pas ardhjes në pushtet të talebanëve. Ne në AGK jemi të lumtur e krenarë që jemi në gjendje të ndihmojmë këta gazetarë nga Afganistani të kryejnë punën e tyre”, tha ai.

Në radhët e gazetarëve afganë të strehuar në Kosovë është edhe 23 vjeçari, Rafiullah Nikzad. Ai kishte nisur punën si gazetar në vitin 2019 në çështje që ndërlidhen me paqen, të drejtat e fëmijëve e të drejtat e grave, por me kthimin e talebanëve u detyrua të largohej për në Pakistan, prej nga erdhi në Prishtinë javën e kaluar.

“Babai im ka qenë pjesë e ushtrisë së Afganistanit për mbi 30 vjet, ai vazhdon të jetojë atje dhe jam shumë i shqetësuar për të meqë ai në të kaluarën ka luftuar kundër talebanëve. Sa u takon kolegëve gazetarë vetëm 4 apo 5 prej tyre kanë arritur të ikin nga Afganistani, të tjerët janë atje, disa i janë nënshtruar talebanëve dhe punojnë sipas kërkesave të tyre”, thotë ai.

Rafiullah nuk ndjehet komod që të japë më shumë hollësi për familjen e tij, por thotë se brenga e tij më e madhe janë motrat e vogla që i ka ende në Afganistan.

“Të gjitha qendrat e edukimit dhe çdo gjë tjetër është mbyllur për vajzat në Afganistan. Motrat e mia kanë nevojë të mësojnë, të edukohen. Plani im është vetëm se si të mund të t’i dërgojë ato në një vend të sigurt bashkë me babain”, thotë ai.

Strehimi i gazetarëve afganë që financohet nga qeveria e Kosovës, u mundësua me mbështetjen e Federatës Evropiane të Gazetarëve, Qendrës Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias dhe qeverisë gjermane. /VoA/

Në trend Lajme

Më shumë
Gazetari britanik tregon nëse mund të ketë luftë në Kosovë dhe Bosnjë

Gazetari britanik tregon nëse mund të ketë luftë në Kosovë dhe Bosnjë

Siguri
U tregua e ashpër ndaj Vuçiqit në Këshill të Sigurimit - reagime të shumta në mbështetje të përfaqësues së Maltës

U tregua e ashpër ndaj Vuçiqit në Këshill të Sigurimit - reagime të shumta në mbështetje të përfaqësues së Maltës

Lajme
Cvijanoviq: Qëndrimi i Bosnjës e Hercegovinës për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës duhet të jetë neutral

Cvijanoviq: Qëndrimi i Bosnjës e Hercegovinës për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës duhet të jetë neutral

Lajme
Kurti pas telefonatës me Macron: Besojmë që Franca ta mbështesë Kosovën në KiE pa parakushte

Kurti pas telefonatës me Macron: Besojmë që Franca ta mbështesë Kosovën në KiE pa parakushte

Lajme
Goditi 42 herë me thikë ish-të dashurën në Vjenë, gjykata e dënon me 15 vjet burgim shqiptarin nga Kosova

Goditi 42 herë me thikë ish-të dashurën në Vjenë, gjykata e dënon me 15 vjet burgim shqiptarin nga Kosova

Lajme
Zbulohet shifra që u pagua Alma Kaçi për të kryer marrëdhënie seksuale me Safet Gjicin: Ia morën videon me forcë

Zbulohet shifra që u pagua Alma Kaçi për të kryer marrëdhënie seksuale me Safet Gjicin: Ia morën videon me forcë

Lajme
Kalo në kategori