Pas përfundimit të xhiros së 22-të të luajtur në fundjavë, Raiffeisen Liga e Parë e Kosovës po ofron një nga garat më të forta të viteve të fundit, me diferenca minimale mes skuadrave në krye të tabelës dhe tension maksimal në zonën e rënies.

Në pozitën e parë ndodhet Vushtrria, që ka grumbulluar 47 pikë pas 22 ndeshjeve. Fitorja e fundit ndaj Rilindjës 1974 e mban në krye, por epërsia është tejet e brishtë, pasi ndjekësit janë vetëm një hap larg.


Menjëherë pas saj vjen Feronikeli ‘74 me 46 pikë, ndërsa Trepça ‘89 dhe Liria kanë nga 45 pikë secila. Katër skuadra të mëdha brenda dy pikëve – një luks dramatik që garanton javë të zjarrta deri në fund të sezonit.

Në lojë për pozitat e larta janë edhe Vëllaznimi dhe Dinamo e Ferizajt, të dyja me nga 44 pikë, ashtu sikurse edhe Ramiz Sadiku i shtati me 43 pikë. Çdo gabim në këtë fazë mund të kushtojë shtrenjtë, ndërsa çdo fitore mund të përmbysë renditjen brenda një xhiroje.

Ndërkohë, po aq e ashpër është edhe lufta për mbijetesë. Fundi i tabelës po ngushtohet rrezikshëm, me disa skuadra që ndahen nga njëra-tjetra me vetëm një apo dy pikë dhe çdo duel direkt tashmë vlen sa një finale.

Skuadrat si Prizreni, Besa Peja, Kek-u, Rilindja 1974, por edhe 2 Korriku, Istogu dhe Vjosa ndodhen në zonën më kritike dhe janë të detyruara të reagojnë shpejt për të shmangur rënien nga liga.

Me 12 xhiro të mbetura deri në fund, Raiffeisen Liga e Parë po dëshmon se këtë sezon nuk ka favorit absolut dhe as të dorëzuar. Luftë për titull, luftë për mbijetesë – gjithçka mbetet e hapur.

Kush do të rezistojë presionit dhe kush do të rrëzohet në momentin vendimtar do të na tregojnë javët e ardhshme. /Telegrafi/

telegrafi sport app