Garë e madhe e gjigantëve evropianë për transferimin e Richard Rios

Pas paraqitjeve mbresëlënëse te Palmeiras, mesfushori kolumbian Richard Rios është gati të bëjë hapin e madh drejt Evropës këtë verë. Ai ka një vlerësim tregu prej 30 milionë eurosh dhe ka hyrë në planet e disa klubeve të mëdha.
Në moshën 25-vjeçare, Rios është shndërruar në një nga lojtarët më të rëndësishëm të Palmeiras, duke tërhequr vëmendjen me autoritetin e tij në mesfushë dhe paraqitjet e qëndrueshme.
Dy skuadra të mëdha evropiane, Atletico Madrid dhe Manchester United, kanë nisur të ndjekin nga afër zhvillimet për të. Të dy klubet po konsiderojnë seriozisht një ofertë për ta transferuar kolumbianin.
Nga ana tjetër, interesimi nga Serie A po bëhet gjithnjë e më konkret. Inter dhe Roma kanë hyrë në garë për nënshkrimin e tij dhe tashmë kanë kontaktuar klubin brazilian për të diskutuar kushtet.
Sipas gazetarit Fabrizio Romano, të dyja klubet italiane kanë bërë lëvizjet e para për të siguruar shërbimet e Rios, i cili shihet si një përforcim i rëndësishëm për mesfushën.
Palmeiras, që zotëron kartonin e tij, ka ende epërsinë në negociata. Klubi nuk dëshiron ta lëshojë lehtë lojtarin, veçanërisht duke parë interesimin e lartë dhe rëndësinë e tij për skuadrën.
Megjithatë, dëshira e Rios për të provuar veten në elitën e futbollit evropian dhe presioni nga klubet e mëdha mund të ndikojnë që transferimi të mbyllet gjatë kësaj vere. /Telegrafi/














































