Kur një skuadër e ligës së parë arrin sukses dhe kalon në Superligë, atëherë është e kuptueshme se me shumë optimizëm pritet edicioni vijues.

Mirëpo, kjo sikur nuk është duke ndodhur me Fushë Kosovës, skuadër që po ballafaqohet me telashe financiare dhe kjo është arsyeja kryesore që Fushë Kosova edhe në elitën e futbollit tonë do ta bazohet kryesisht në futbollistët që i kishte gjatë garave në rang më të ulët, raporton Zëri.


Pavarësisht kësaj, kryetrajneri Zylkifli Obërtinca, ka nisur me kohë përgatitjet dhe po bën përpjekje maksimale që ta nxjerr maksimumin nga një përbërje që dorën në zemër nuk premton shumë.

“Përgatitjet kanë nisur që nga 15 korriku dhe jam i kënaqur me punën që po bëhet. Fazën e parë e kemi kryer në Sllatinë, një vend i përshtatshëm për këtë fazë dhe në fushën e futbollit në Miradi, për çka i falënderoj vendësit që na mundësuan një gjë të tillë. Ditëve të fundit po punohet në fushën e stadiumit dhe atë dy herë në ditë, por nuk po mund ta shfrytëzojmë fushën në tërësi”, thotë Obërtinca, i cili ka pritur se skuadra në Superligë do të ketë fond më të pasur të lojtarëve.

Në fakt, Fushë Kosova është përforcuar me Gëzim Pllanën e KEK-ut dhe Muhami Bushin ish lojtarin e Lepencit e Hajvalisë, ndërkohë që nga skuadra janë larguar Labinot Haliti, Besnik Ibishi e Jeton Llumnica.

“Kemi nevojë edhe të paktën për 3 përforcime. Na duhen dy sulmues dhe një mesfushor. Jemi në bisedime dhe shpresoj se do ta arrijmë t’i angazhojmë në mënyrë që më me optimizëm ta presim fillimin e kampionatit”, shprehet kryetrajneri i Fushë Kosovës, i cili është i ndërgjegjshëm se më këtë përbërje Fushë Kosova e ka të vështirë të mbetet pjesë e elitës.

“Nëse përforcohemi me tre futbollistë, atëherë jam i bindur se mund të renditemi në mesin e tabelës, në të kundërtën, do të luftojmë për mbijetesë. Kemi premtime se do të ndihmohemi nga Komuna dhe nga kjo varet shumëçka”, thotë Obërtinca për Zërin.

Gjatë përgatitjeve Fushë Kosova ka zhvilluar dy ndeshje kontrolluese, ka mposhtur Ferronikelin me rezultat 1:0, si dhe 2 Korrikun me rezultat 3:1. Ndeshjen e parë kampionale, Fushë Kosova e zhvillon me Hysin në Merdarë. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app