LAJMI I FUNDIT:

Fundi tragjik i dy binjakeve pas zjarreve në Greqi

Fundi tragjik i dy binjakeve pas zjarreve në Greqi

Historia e dy vajzave binjake që konsideroheshin të humbura pas zjarreve vrastare në periferinë e Athinës këtë javë përfundoi në mënyrën më tragjike: ato u gjetën të vdekura, në përqafimin e gjyshërve të tyre.

Binjaket 9-vjeçare mallëngjyen gjithë botën pas publikimit të historisë së tyre nga gazeta “Times” e Londrës, kur prindërit të dëshpëruar i kërkonin ngado dhe nuk i gjenin, shkruan Tch.

Ndërsa funeralet për viktimat filluan të shtunën në mesditë, vazhdon akti i dytë i tragjedisë, me zjarrfikësit që hyjnë në çdo shtëpi për të gjetur nëse ka viktima të tjera apo me mjekët ligjorë që procedojnë me identifikimin e viktimave me anë të ADN-së.


Giannis Markis, shefi i operacionit të shpëtimit, thotë: “Është e pamundur të përshkruash atë që shohim, nuk ka fjalë. Sjellim njerëz të moshuar, me aftësi të kufizuara, me probleme frymëmarrjeje, fëmijë, njerëz me djegie dhe trupat e të vdekurve”.

Ministri i Mbrojtjes së Qytetarit, në një intervistë të tij në televizionin shtetëror, ka ripërsëritur se është bërë çfarë është e mundur nga ana e zjarrfikësve dhe ushtrisë, por në këto kushte ekstreme moti, ishte i pamundur evakuimi i shpejtë i kaq shumë njerëzve në zonën ku shpërthyen zjarret.

Disa orë pasi vetë kryeministri Alexis Tsipras mori përgjegjësinë politike për këtë tragjedi, kanë filluar edhe dorëheqjet e para nga dy nënkryetarë të Bashkisë së Maratonës.

“Dua të ndërmarr përpara kabinetit ministror dhe popullit grek përgjegjësinë politike të tragjedisë. E konsideroj diçka të tillë të kuptueshëm për kryeministrin e vendit dhe ju ftoj të gjithëve për të bërë këtë”, deklaroi Tsipras.

Edhe opozita greke ka ndërmarrë tashmë një valë kritikash ndaj qeverisë, e cila nga ana e saj pret përfundimet e një hetimi të gjerë, duke theksuar se bëhet fjalë për një zjarr-vënie të qëllimshme dhe të mirorganizuar.

Ndërkohë, kur nga 3700 ndërtesa të kontrolluara rreth 1000 konsiderohen të pabanueshme nga zjarri, sipas të dhënave të fundit të publikuara, 52% e shtëpive në këtë zonë janë pa leje ndërtimi.