LAJMI I FUNDIT:

Fundi i diplomacisë në Lindjen e Mesme?

Fundi i diplomacisë në Lindjen e Mesme?
Ilustrim

Blendi Lami

Tensionet në Lindjen e Mesme janë riaktivizuar sërish. Në fakt, me eliminimin e ISIS në terren, ishte parashikuar të krijohej një arenë e re lufte. Përveç rindezjes së konfliktit mes Izraelit dhe Palestinës, një fenomen tashmë i vazhdueshëm, vakumi gjeopolitik që ka shkaktuar largimi i luftëtarëve të ISIS, ka sjellë ndryshime të thella gjeopolitike. Një ndër këto është edhe organizimi i një referendumi për pavarësi të kurdëve, nga ana e Qeverisë Rajonale të Irakut të Veriut. Në këtë teatër, luajnë po ata aktorë të cilëve iu preken interesat me ndryshimet e reja.


Është kthyer në “normalitet” destabiliteti i krijuar nga konflikti izraelit-palestinez. Në kundërshtim me premtimet e fundit izraelite, pse jo edhe me normat ndërkombëtare, qeveria e Izraelit, vetëm para një jave, miratoi ndërtimin e vendbanimeve të tjera në Hebron, në Bregun Perëndimor, gjë që nuk kishte ndodhur prej pesëmbëdhjetë vjetësh. Veç kësaj, më 12 tetor, SHBA dhe Izraeli njoftuan tërheqjen nga UNESCO, pasi kjo organizatë u akuzua për qëndrime anti-izraelite. Kryeministri i Izraelit, Netanjahu, në Asamblenë e OKB-së, theksoi se UNESCO po promovonte “histori të rreme”, pasi shpalli Hebronin dhe dy vende të shenjta të tij si “Zona të rrezikuara të trashëgimisë palestineze”. Në sfidë të plotë ndaj OKB-së, u mor qëndrimi për t’u tërhequr nga UNESCO, dhe për të acaruar edhe më tej situatën, qeveria izraelite – e mbështetur nga SHBA – vendosi ekspansionin e mëtejshëm – pikërisht – në Hebron.

Kësaj përplasjeje, që me sa duket përfundon gjithmonë në favor të Izraelit, i shtohen probleme të tjera në rajon.

Siria ka hyrë në vitin e gjashtë të luftës civile, me miliona të zhvendosur dhe mijëra të vrarë. Përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar dhe njëfarë inkurajimi i fuqive të mëdha për të favorizuar forcat në terren që të mposhtin ISIS, kanë eliminuar këtë të fundit, por këto forca kanë intensifikuar përplasjet mes tyre. Me largimin e ISIS, Turqia po luan një rol edhe më aktiv, teksa synon të kontrollojë zonat kurde në kufirin e saj. Turqia synon të neutralizojë forcat e Partisë së Unionit Demokratik (PUD), që po qeveris një zonë autonome në veri të Sirisë. Presidenti Erdogan ka parashtruar se “shfarosja e PUD-së” është synim parësor i politikës së qeverisë turke.

Iraku kërcënohet seriozisht nga shpërbërja. Referendumi i kurdëve e ka copëzuar tashmë Irakun. Ky fragmentarizim po çon drejt një lufte tjetër civile. ISIS krijoi terror të paimagjinueshëm, por të paktën ruajti kohezionin mes etnive. Një qeveri e pavarur e kurdëve nuk mund të pranohet nga Turqia dhe Irani. Në aksionet e ditëve të fundit kundër kurdëve janë përfshirë trupa iranianë – nën flamurin irakian. Për interesa të mëdhenj strategjikë, kjo përfshirje ka gjetur edhe mbështetjen e SHBA-së, e cila duket se ka miratuar planin për të ndërhyrë në zonën kurde të pavarur. Nga ana tjetër, Turqia ka mobilizuar trupa në kufi dhe ka shpallur se referendumi në fjalë është kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë e saj kombëtare. Presidenti Erdogan ka deklaruar se ky veprim i kurdëve irakianë do të ketë “pasoja të tmerrshme për rajonin”. Një lëvizje e tillë është minuese për një rajon ku tridhjetë milionë kurdë janë ndarë në katër pjesë (Turqi, Irak, Iran dhe Siri).

Rrezik tjetër potencial për rajonin është pa dyshim edhe tërheqja e SHBA-së nga marrëveshja me Iranin për armët bërthamore ndërmjet P 5 + 1 (pesë vendet e Këshillit të Sigurimit + Gjermania) dhe Iranit. Pritet që kjo marrëveshje të anulohet në mënyrë të njëanshme nga presidenti Trump që e ka akuzuar Iranin si “një regjim brutal i qeverisur nga radikalë”. Ndërkohë, SHBA i konsideron ambiciet rajonale të Iranit, të pandara nga aktiviteti atomik, ndaj kërkon garanci më të mëdha nga Irani për frenim në dominimin e rajonit dhe financimin e terroristëve. Në kundërshtim me qëndrimin amerikan janë palët e tjera të marrëveshjes. Në mënyrë krejt paradoksale, nga njëra SHBA miraton ndërhyrjen e Iranit në luftën e mundshme civile në Irak, nga ana tjetër, dënon publikisht Iranin për mbështetjen që jep për grupet terroriste si Hezbollah dhe Hamas. Janë qëndrime që burojnë nga interesat e ngushtë të SHBA-së.

Por loja është më e madhe nga ç’duket. Afrimi amerikan me Arabinë Saudite, tendenca për të neutralizuar sa më shumë Turqinë dhe frenimi i Iranit për dominim rajonal bëjnë pjesë në përmbushjen e një strategjie të stërholluar amerikane: krijimi i një balance të fuqisë në Lindje të Mesme, me qëllim që asnjë shtet të mos jetë më influencues dhe SHBA të shpenzojë sa më pak resurse, në një kohë kur ka “fronte” të tjera për t’u fokusuar.

Por kjo lojë anashkalon diplomacinë. Është e habitshme se si tolerohet një situatë e tillë kaotike në dëm të jashtëzakonshëm për popullsitë dhe resurset e Irakut, Sirisë, Jemenit, Palestinës apo vendeve të tjera. Që prej fillimit të konfliktit të Siri, krizat pasojnë njëra-tjetrën dhe palët në konflikt ndërrohen, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë gjetjen e gjuhës së përbashkët për paqe. Rruga e dialogut – që duhet të diktohet nga fuqitë e mëdha – mund ta sillte paqen e dëshiruar, ose të paktën do të reduktonte konfliktet. Por edhe mposhtja në terren e ISIS nuk solli pajtim të palëve. A po anashkalohet qëllimisht diplomacia?

Në trend

Më shumë
Meç i madh i boksit mes Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk - detajet minutë pas minute

Meç i madh i boksit mes Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk - detajet minutë pas minute

Boks
Demografia evropiane - cili shtet ka natalitetin më të lartë dhe ku qëndron Kosova?

Demografia evropiane - cili shtet ka natalitetin më të lartë dhe ku qëndron Kosova?

Evropa
Mospërfshirja e Kosovës në agjendën e Komitetit të Ministrave të KiE, reagime të ashpra ta deputetëve gjermanë – kritikojnë qeverinë e tyre

Mospërfshirja e Kosovës në agjendën e Komitetit të Ministrave të KiE, reagime të ashpra ta deputetëve gjermanë – kritikojnë qeverinë e tyre

Lajme
“Vuçiq paguan paraprakisht në rast të fitores së Trumpit”, mediat botërore shkruajnë se si dhëndrit të ish-presidentit amerikan iu shit ndërtesa e Shtabit të Ushtrisë Serbe

“Vuçiq paguan paraprakisht në rast të fitores së Trumpit”, mediat botërore shkruajnë se si dhëndrit të ish-presidentit amerikan iu shit ndërtesa e Shtabit të Ushtrisë Serbe

Serbia
Gjithçka çfarë duhet të dini për meçi mes Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk: Koha, titujt, rekordet dhe pesha e tyre

Gjithçka çfarë duhet të dini për meçi mes Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk: Koha, titujt, rekordet dhe pesha e tyre

Boks
Projekti më i mirë, Piramida e Tiranës fiton çmimin e madh për Evropën Juglindore

Projekti më i mirë, Piramida e Tiranës fiton çmimin e madh për Evropën Juglindore

Lajme
Kalo në kategori