LAJMI I FUNDIT:

FRIKË NGA ZEMËRIMI

FRIKË NGA ZEMËRIMI
Ilustrim

Rrëfenjë arabe
Përktheu: Bajram Karabolli

Shumë kohë më parë, midis myslimanëve, na ishte një luftëtar i madh, i cili quhej Ali Ibn Abu Talib. Në një betejë të ashpër, ky kap rob një prej armiqve të tij më të rrezikshëm, i cili i kishte kapur dhe i kishte vrarë shumë luftëtarë. Dhe, ja ku e kishte përpara, të lidhur, ndërkohë shpirtrat e luftëtarëve të tij e thërrisnin që t’u merrte hakën. Atëherë, Ali Abu Talibi nxjerr shpatën e tij me dy presa dhe bëhet gati për t’i dhënë armikut goditjen vdekjeprurëse. Por, në atë çast, armiku, i cili po e shikonte gjithë urrejtje, e pështyn në fytyrë.


Për habinë e të gjithëve, Ali Ibn Abu Talib e ul shpatën, pa e goditur, dhe prapset. Pastaj, e fut shpatën në mill, i kthen shpinën armikut dhe, duke u larguar, jep urdhër ta lëshonin.

Më vonë, kur e pyetën për veprimin e tij të çuditshëm, ai përgjigjet:

– Kur ai më sulmoi, unë u mbrojta dhe e çarmatosa. Atëherë, edhe mund ta vrisja. Po kur më pështyu në fytyrë, krenaria ime u ofendua, kështu që unë do ta kisha vrarë atë vetëm nga zemërimi. Pikërisht, në atë çast, ndjeva frikë nga Allahu. Allahu do të më ndëshkonte, sepse po e vrisja nga zemërimi. Prandaj, e mblodha veten dhe, duke e mallkuar zemërimin tim, u largova, para se të bija në një mëkat të madh.

P.S.: “Frikë nga zemërimi” është një parabolë, një fiksion i shkurtër dhe koherent. Është një aksion i thjeshtë. Në të nuk ka detaje përrallore dhe as rrethana që provokojnë zbavitje.