LAJMI I FUNDIT:

FRIKA GLOBALE

FRIKA GLOBALE

Nga: Eduardo Galeano
Përktheu: Bajram Karabolli

Ata që punojnë kanë frikë se humbasin punën.


Ata që nuk punojnë kanë frikë se nuk do të gjejnë punë kurrë.

Ata që nuk kanë frikë nga uria, kanë frikë nga ushqimi.

Ata që udhëtojnë me makinë, kanë frikë të ecin në këmbë; ata që ecin në këmbë, kanë frikë se i shtyp makina.

Demokracia ka frikë të kujtojë dhe gjuha ka frikë të flasë.

Civilët kanë frikë nga ushtarakët, ushtarakët kanë frikë nga mungesa e armëve dhe armët kanë frikë nga mungesa e luftës.

Është koha e frikës.

Frika e gruas nga dhuna e burrit dhe frika e burrit nga gruaja që s’ka frikë.

Frikë nga hajdutët, frikë nga policët.

Frikë nga dera pa çelës, nga koha pa orë dhe nga fëmija pa televizor; frikë nga nata pa hape për gjumë dhe frikë nga dita pa hape për t’u zgjuar.

Frikë nga turma dhe frikë nga vetmia; frikë nga çfarë ishte dhe frikë nga ç’mund të jetë; frikë nga vdekja dhe frikë nga jeta.