Franca raportoi brenda 24 orëve të fundit më shumë se 32 mijë raste nga coronavirusi, derisa një ditë më parë regjistroi 25 mijë të prekur.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, numri i përgjithshëm i të infektuarve në vend u rrit në 867 mijë, ndërsa numri i viktimave raportohet të jetë 33 mijë.

Rrugët e Parisit dhe tetë qytetet të tjera franceze u boshatisën të shtunën mbrëma për shkak të orës policore e cila u implementua nga autoritetet së fundmi. Kështu qytetarët do të gjobiten në rast se dalin pas orës 21:00.

Zbatimi i orës policore ka për qëllim uljen e nivelit të rritjes së infeksioneve në Francë, vendi i cili tashmë ka raportuar rekord rastesh së fundmi.

Vala e dytë e coronavirusit në Evropë mori një kthesë dramatike për keq këtë javë, duke detyruar qeveritë në të gjithë kontinentin të bëjnë zgjedhje të vështira pasi më shumë se një duzinë vendesh raportuan numrin e tyre më të lartë të infeksioneve të reja.

Në Republikën Çeke, shkollat janë mbyllur dhe studentët e mjekësisë po regjistrohen për të ndihmuar mjekët. Të gjithë baret dhe restorantet holandeze janë të mbyllura.

Gjithashtu Austria, Belgjika, Republika Çeke, Gjermania, Italia, Holanda dhe Polonia janë midis vendeve që kanë “thyer rekordin për të dhënat ditore të rasteve”, duke bërë që Organizata Botërore e Shëndetësisë të bëjë thirrje për një përpjekje “pa kompromis” për të ndaluar përhapjen. /Telegrafi/