Ndërsa presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, po fliste në Davos, presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi se marina e vendit të tij kishte ndaluar një cisternë ruse nën sanksione në Detin Mesdhe.

“Ky operacion u krye me mbështetjen e disa prej aleatëve tanë,” shkroi ai në një postim në rrjetet sociale.


“Operacioni u zhvillua në përputhje të plotë me Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit,” shtoi lideri francez.

Misioni francez u realizua në bashkëpunim me Mbretërinë e Bashkuar, e cila mblodhi dhe ndau informacionet e inteligjencës.

Macron theksoi se anija ishte nën sanksione ndërkombëtare dhe dyshohej se operonte nën një flamur të rremë.

“Aktivitetet e flotës në hije kontribuojnë në financimin e luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës,” shtoi ai.

Ky njoftim vjen në një moment të përshtatshëm, pasi në fjalimin e tij, Zelensky përmendi në mënyrë të veçantë cisternat ruse që lëvizin nëpër Evropë pa ndërhyrje nga aleatët evropianë të Ukrainës. /Telegrafi/