eksperti-banner

Ditën e mërkurë EULEX-i ka treguar se e ka ndërmend ta vazhdojë nënshkrimin dhe implementimin e “marrëveshjes protokollare” dhe se duhet vetëm të sqarohen keqkuptimet që kanë ekzistuar. Pra, kjo tregon se, përkundër faktit se liderët institucional akoma deklarohen kundër një marrëveshje të tillë që de-subjektivizon Kosovën në tërësi, EULEX-i këto kundërshtime i quan keqkuptime që do të thotë se nuk i merr seriozisht liderët kosovarë

Që prej se është bërë publik e ashtuquajtura Marrëveshje protokollare mes EULEX-it dhe MUP-it serb, ka pasur tentime të ndryshme për ta shitur një gjë për tjetër. Së pari tentohet të thuhet se kjo marrëveshje nuk është edhe aq e rëndësishme sa mendohet dhe për më tepër është një keqkuptim dhe se bëhet fjalë për një thjesht Marrëveshje protokollare. Së dyti tentohet me çdo kusht që kjo marrëveshje të mos lidhet me Gjashtë pikëshin e famshëm të Ban Ki Moon. Së treti, EULEX-i thotë të ketë nënshkruar këtë protokoll në emër të vetin e jo të Kosovës. Së katërti, thuhet se marrëveshje të tilla EULEX-i ka me të gjithë fqinjët.
E para, nëse marrëveshja është e parëndësishme pse ky tekst nuk i jepet opinionit publik në formën e saj të plotë. Së dyti sapo të quhet një marrëveshje protokollare nënkupton një rregullim marrëdhëniesh mes dy palëve që në këtë rast në mënyrë të qartë bën EULEX-in subjekt dhe mohon subjektivitetin e Kosovës. Së treti, kjo marrëveshje shef Serbinë si një partner me të cilin koordinon strukturat paralele në Kosovë përfshire këtu edhe policinë që është një mënyrë tjetër edhe më e vrazhdë e implementimit të Gjashtë pikëshit të Ban Ki Moon. Së katërti, nuk është njëjtë si të kesh marrëveshje për bashkëpunim me policinë e Serbisë si me policinë e shteteve tjera fqinje duke qenë se Serbia po e refuzon dhe saboton shtetin e Kosovës.

Ditën e mërkurë EULE-i ka treguar se e ka ndërmend ta vazhdojë nënshkrimin dhe implementimin e kësaj marrëveshje dhe se duhet vetëm të sqarohen keqkuptimet që kanë ekzistuar. Pra, kjo tregon se, përkundër faktit se liderët institucional akoma deklarohen kundër një marrëveshje të tillë që de-subjektivizon Kosovën në tërësi, EULEX-i këto kundërshtime i quan keqkuptime që do të thotë se nuk i merr seriozisht liderët kosovarë.

Në anën tjetër EULEX-i, nëpërmjet kanaleve të veta mediale, lëshon arsyetimin se kjo marrëveshje nuk bëhet në emër të Kosovës, por në emër të EULEX-it. Pra qenka e mundur që të bëhet një marrëveshje për kufijtë e Kosovës pa Kosovën. Ku është shteti i Kosovës në këtë mes? Pastaj, kjo marrëveshje, sikundër edhe marrëveshja e famshme Çoviq-Haakerup e nënshkruar vite më parë, nënkupton edhe një qasje të Serbisë në gjyqësi dhe polici në Kosovë, që është një atakim direkt i integritetit dhe sovranitetit të një shteti nga një shtet tjetër.

Kur dhjetëra mijëra kosovarë protestonin në rrugët e Prishtinës dhe deklaronin njëzëri se ata (qeveritarët kosovarë) “po rrejnë”, Qeveria iu përgjigj këtyre akuzave me deklaratën se “Gjashtë pikëshi ka vdekur”. Sot është bërë e qartë se kjo ka qenë një rrenë. Është vetëm një mënyrë për ta bërë të vdekur Gjashtë pikëshin që është një nga burimet e marrëveshjeve që sot po nënshkruan EULEX-i në emër të Kosovës. Liderët kosovarë duhet t’i thonë EULEX-it t’i mbajë këto marrëveshje për vete dhe të mos vlejnë për SHPK-në, për gjykatat e Kosovës dhe Doganat e Kosovës.

Natyrisht kjo nuk është e lehtë duke qenë se të gjitha dokumentet për shtetin e Kosovës dhe madje edhe letrat e liderëve kosovar që kanë të bëjnë me EULEX-in kanë brenda ambiguitet të qëllimshëm. Kështu, sot EULEX-i për “Marrëveshjen protokollare” me MUP-in po e citon letrën e presidentit Fatmir Sejdiu. Problemi qëndron se këto letra dhe dokumente nuk janë shkruar nga institucionet e Kosovës por vetëm janë nënshkruar nga liderët e këtyre institucioneve. Ato janë shkruar nëpër zyra të huaja dhe janë draftuar në mënyrën që janë draftuar, jo rastësisht. Kjo vlen edhe për Kushtetutën e Kosovës.

Qasja e Qeverisë së Kosovës për këtë marrëveshje, sikur edhe për Gjashtëpikëshin, po vazhdon të jetë kundërshtimi sa për opinion publik. Kështu kanë bërë në të kaluarën me shumë marrëveshje edhe pse ato kanë gjetur implementim në praktikë. Kështu kanë bërë liderët kosovar edhe me zgjedhjet serbe në Kosovë. Zgjedhje te e këtij muaji, sikundër edhe zgjedhjet tjera serbe në Kosovë, liderët kosovar njëzëri janë deklaruar se nuk i njohin. Mirëpo këto zgjedhje po nxjerrin udhëheqës të komunave serbe, të cilët po zbatojnë ligjin serb në Kosovë. Pra, këtu nuk ka fare rëndësi nëse kryeministri Thaçi ose presidenti Sejdiu janë deklaruar publikisht se nuk i njohin zgjedhjet serbe.

Është shumë e vështirë të sfidohen marrëveshjet e tilla dhe autoriteti i shtetit serb në Kosovë nga politika kosovare kur dihet se ato e kanë bazën në dokumenta e relata të nënshkruara nga liderët politik kosovar, ata që janë sot në pushtet ose në opozitë. Politika kosovare definitivisht është e pafuqishme ndaj këtyre dokumenteve sepse vit pas viti, hap pas hapi, iu kanë dhënë jetë këtyre dokumenteve që i kanë kundërshtuar sa për opinion publik. Sot UNMIK-u po përgatitet të lëshojë rregullore të reja edhe përkundër faktit se për presidentin dhe kryeministrin e Kosovës ky mision është i mbaruar. Është vetëm një rrugë për t’i ndalur rrugën degradimit të shtetësisë së Kosovës dhe kjo është: rruga. Vetëm një kundërshtim i fortë i qytetarëve të Kosovës mund të jep një përgjigjje të qëndrueshme dhe të pakorruptuar të gjitha këtyre manipulimeve.

(Autori është bashkëthemelues i Organizatës ÇOHU!)