0Shares

Fondacioni “Golden Eagle” i ka bërë dorëzimin e çelësave të shtëpisë familjes së Osman Krasniqit nga lagja Arbana në Prizren.

Ndërtimi i kësaj shtëpie e ka gëzuar kryefamiljarin Osman Krasniqi, i cili nuk rresht së falënderuari Fondacionin “Golden Eagle”.

“Kjo firma ka dëshiruar me ma dhuru një shtëpi mua të mirë, Allahu ia shpërbleftë me të mira, të gjitha të mirat ja dhantë. Pa punë jam, një djalë të sëmurë e kam”, tha pronari i shtëpisë së re.

Nga menaxhmenti i fondacionit “Golden Eagle”, për të dorëzuar çelësat e shtëpisë ishte Shaqir Palushi, i cili tha se kjo është shtëpia e parë e zotimit të cilin e kanë bërë si fondacion për ndërtimin e shtatë shtëpive në komuna të ndryshme të Kosovës.

Ai bëri thirrje edhe për të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë që të bëjnë kësi lloj ndërtime pasi që sipas tij ka shumë familje që nuk kanë strehim.

“Sot familjes Krasniqi ia dorëzojmë çelësat dhe kjo është shtëpia e parë nga zotimi të cilin e kemi marrë ne si Fondacion për ndërtimin e shtatë shtëpive në 7 komuna të ndryshme të Kosovës. Kjo është një prej modeleve më të vogla për shkak të hapësirës – do të thotë jemi detyruar të zvogëlojmë – kurse tri shtëpitë e tjera presim që brenda dy-tri javëve të përfundojnë. I tërë projekti, brenda tre – katër muajve do të përfundojë. Shpresoj që ashtu sikur deri sot edhe shumë njerëz të vullnetit të mire të vazhdojnë dhe të ndërtojnë së bashku me institucionet lokale dhe ato qendrore, sepse sot në Kosovë fatkeqësisht ka shumë familje të cilat nuk kanë një strehim dinjitoz”, tha ai.

Ai bëri të ditur se bazë për përzgjedhjen e familjeve përfituese për shtëpi ka qenë gjendja social-ekonomike.

“Bazë për përzgjedhjen ka qenë gjendja social-ekonomike, por edhe familjet të cilat kanë pasur persona me aftësi të kufizuara ka qenë prioriteti. Do të thotë kjo familje dy nga këto kritere i ka përmbushur, prandaj jemi përcaktuar për këtë familje”, tha ai.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, tha se ky fondacion ka treguar një humanitet të jashtëzakonshëm për zgjidhjen e problemit të kësaj familje.

“Unë ndjej kënaqësi të veçantë, bile kam plot emocione, fondacioni Golden Eagle ka treguar një humanitet të jashtëzakonshëm për zgjidhjen e problemit të banimit të familjes së Osman Krasniqi, të cilit i uroj këtë shtëpi kaq të bukur të mobiluar. Uroj që ta gëzojë këtë shtëpi, ndërsa fondacionit Golden Eagle ju uroj suksese në punët e mëtutjeshme, uroj të vazhdoj siç ka treguar edhe më herët me komunitetin e tij për zgjidhjen e problemit të banimit, por edhe donacione të tjera ka dhënë”, tha Muja.

Ai tha se për të si kryetar i komunës është kënaqësi e veçantë sepse po zgjidhet problemi njëherë e përgjithmonë i banimit të kësaj familje.

Fondacioni “Golden Eagle” përveç kësaj shtëpie do të bëjë ndërtimin edhe të gjashtë shtëpive të tjera në komuna të ndryshme të Kosovës.

Të Ngjajshme
Shfaq Komentet (0)