LAJMI I FUNDIT:

FMN: Ulja e taksave nga Trump do të rritë ekonominë botërore

FMN: Ulja e taksave nga Trump do të rritë ekonominë botërore

Rishikimi i taksave të Administratës Trump është pjesa e fundit e lajmeve të mira për ekonominë botërore.

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) këtë të hëne tha se pret një rritje botërore prej 3.9 për qind për këtë vit dhe për vitit 2019 një rritje prej 0.2 pikë përqindjeje mbi normat e parashikuara në tetor të vitit të kaluar. Sipas FMN-së kjo do të ishte rritja me e shpejtë që nga viti 2011, shkruan Telegrafi.


FMN tha se ndryshimet në Ligjin e Taksave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dhjetor të 2017-së ndihmuan në rritjen botërore.

“Rishikimi reflekton një rritje botërore dhe një ndikim i pritshëm i ndryshimeve të politikave tatimore të miratuara kohët e fundit në SHBA”, tha FMN në një raport të botuar përpara Forumit Ekonomik Botëror që do të mbahet në Davos të Zvicrës.

FMN pret që ekonomia amerikane të rritet me 2.7 për qind për këtë vit, dukshëm më shpejt sesa parashikimi i mëparshëm prej 2.3 për qind, mirëpo rritja do të ngadalësohet në 2.5 për qind në 2019-në.

Sipas FMN-së, ekonomia e Eurozonës pritet të rritet me 2.2 për qind këtë vit dhe 2 për qind në 2019, duke u rritur nga vlerësimet e mëparshme prej 1.9 për qind dhe 1.7 për qind. Për këtë vit rritja në Kinë do të jetë 6.6 për qind dhe Indi 7.4 për qind.

Britania, e cila do të largohet nga Bashkimi Evropian në mars 2019, do të jetë një nga vendet e pakta që do të humbasë një rritje më të qëndrueshme, por FMN pret që ekonomia e vendit të zgjerohet me vetëm 1.5 për qind për këtë vit dhe në 2019-në. /Telegrafi/