Florenzi mbron yllin e madh të Milanit dhe vë në dyshim zgjedhjet taktike për pozicionimin e tij

Fitorja e Milanit ndaj Cremonese ka rikthyer në qendër të vëmendjes paraqitjen e Rafael Leao nën drejtimin e Massimiliano Allegri.
Sulmuesi portugez u gjend në epiqendër të debatit pas një ndeshjeje me dy fytyra: i pasaktë dhe i zbehtë si qendërsulmues në pjesën e parë, por vendimtar në minutat e fundit kur u rikthye në rolin e tij natyral si anësor.
Leao hasi vështirësi të dukshme kur u aktivizua në qendër të sulmit, duke mos arritur të shfrytëzojë hapësirat dhe duke humbur disa duele kyçe.

Megjithatë, me kalimin në krah, ai tregoi sërish potencialin e tij shpërthyes, duke vulosur fitoren me një kundërsulm të shpejtë dhe të ekzekutuar me klas.
Ky kontrast ka nxitur diskutime mbi mënyrën se si po menaxhohet nga stafi teknik.
Në lidhje me situatën reagoi edhe Alessandro Florenzi, i cili foli për Sky Sport duke mbrojtur ish-shokun e tij të skuadrës, por njëkohësisht duke lënë të kuptohet një kritikë të tërthortë ndaj zgjedhjeve taktike të trajnerit.

Sipas tij, lojtarët e mëdhenj duhet të marrin përgjegjësi, por edhe të vendosen në kushtet e duhura për të shfaqur më të mirën e tyre.
“Lojtarët e fortë duhet të marrin përgjegjësi, por mbi të gjitha duhet të pozicionohen siç duhet në fushë dhe të bëhen të luajnë në një mënyrë që u lejon të shprehin futbollin e tyre”.
“Sinqerisht, nuk e di sa po i jep Milani Leaos aktualisht, krahasuar me atë që Leao po i jep Milanit”, ka thënë Florenzi për Sky Sport.
Ai shtoi se Milani aktualisht mbështetet shumë te kundërsulmi, një stil që në teori i përshtatet Leaos, por theksoi se e ka parë portugezin të shkëlqejë edhe në një skuadër me lojë më harmonike dhe të organizuar.
Sipas Florenzit, Leao mbetet lojtari më i mirë në Serie A për nga aftësitë individuale dhe cilësitë e gjithanshme. /Telegrafi/
















































