Flokë ari-blu dhe kardigan i kuq: Gigi Hadid tregoi formulën perfekte të stilit pranveror

Modelja u shfaq në New York City me nuancë të re flokësh dhe një kombinim të thjeshtë, por shumë efektiv, që po tërheq vëmendje në botën e modës
Gigi Hadid nuk është e panjohur me fuqinë e transformimit, qoftë kur udhëheq një fushatë mode me paruke platin bionde apo kur pozon me prerje të përkohshme pixie në nuancë hiri. Megjithatë, themeluesja e markës Guest in Residence e nisi javën duke treguar nuancën e saj më të çelët të flokëve në dhjetë muajt e fundit, teksa ecte nëpër New York City në shoqërinë e Travis Kelce.
Modelja e njohur për herë të fundit ishte parë me nuancë më të ftohtë kafe dhe maja më të çelëta në shkurt, teksa ecte në pasarelën e shtëpisë Ralph Lauren gjatë Javës së Modës në New York City. Tani ajo dëshmoi se është gati për tonet më të ngrohta të pranverës. Në New York City, Gigi u shfaq me flokë të gjatë të tharë me furçë, me ndarje në mes dhe maja lehtësisht të valëzuara, duke vënë në pah nuancën e re bionde mjalti.
Nëse jeni pyetur çfarë të vishni gjatë kësaj periudhe kalimtare dhe të paqëndrueshme, Gigi sapo i thjeshtoi gjërat maksimalisht. Formula e saj e stilit mbështetet në ndërtimin e gjithë pamjes rreth vetëm një pjese të fuqishme dhe të spikatur. Bëhet fjalë për kardiganin e kuq të thurur nga marka e saj personale Guest in Residence, transmeton Telegrafi.

Me stilizimin e tij, ajo dëshmoi se ngjyrat e forta nuk kanë pse të duken të tepruara. Duke e kombinuar në mënyrë të lirshme, me disa kopsa të hapura, arriti një përshtypje të natyrshme dhe jashtëzakonisht elegante.
Pjesa tjetër e veshjes mbeti e thjeshtë, komode dhe në funksion të veshjes kryesore: xhinse klasike me prerje të drejtë, rrip lëkure ngjyrë kafe dhe mokasina të zeza të përhershme, të kombinuara me çorape të bardha. Gjithçka e përmbylli me çantë hobo ngjyrë çokollatë dhe syze retro me efekt vizori.

Sipas fotografive të publikuara nga profili DeuxMoi, edhe Travis Kelce u pa duke u takuar me Hadid për një xhirim të përbashkët për markën Tommy Hilfiger. Lojtari i ekipit Kansas City Chiefs, i cili është i fejuari i mikeshës së saj më të mirë Taylor Swift, zgjodhi një këmishë elegante bardh e zi me vija. Gigi së fundi e kishte uruar publikisht sportistin e njohur kur marka e emëroi ambasador dhe bashkëpunëtor kreativ në fund të marsit. /Telegrafi/





























































