LAJMI I FUNDIT:

Fjalimi i Hygoit në varrimin e Balzakut

Fjalimi i Hygoit në varrimin e Balzakut
Bustet e Balzakut dhe Hygoit

Më 18 gusht të 1850 u nda nga jeta, në moshën 51-vjeçare, shkrimtari, dramaturgu, kritiku letrar dhe i artit, eseisti, gazetari dhe botuesi i shquar francez Honore de Balzac (Balzaku). Gazeta “Le Siècle”, të enjten e 22 gushtit 1850, në faqen e dytë boton fjalimin brilant të shkrimtarit të shquar francez, Victor Hugo (Hygo), në momentin e varrimit të Balzakut. Fjalimi është si më poshtë.

“Zotërinj,

Njeriu që zbriti në këtë varr ishte një nga ata për të cilët, dhimbja publike mban kortezh. Në kohërat në të cilat ndodhemi, të gjitha trillimet janë zhdukur. Tani, sytë janë fiksuar jo më mbi kokat që mbretërojnë, por mbi ato që mendojnë dhe i gjithë vendi dridhet kur njëra prej këtyre kokave zhduket. Sot, zija popullore është vdekja e njeriut të talentuar; zija kombëtare është vdekja e njeriut gjenial.

Zotërinj, emri i Balzakut do të përzihet me gjurmën e ndritshme, që epoka jonë do të lërë në të ardhmen.

Z. Balzak ishte pjesë e asaj gjenerate të fuqishme shkrimtarësh të shekullit të XIX-të, të cilët erdhën pas Napoleonit, ashtu si plejada e shekullit të XVII-të erdhi pas Rishelieut – sikur, gjatë zhvillimit të civilizimit, të ketë pasur një ligj i cili ka bërë që dominuesit e shpatës të pasoheshin nga dominuesit e mendjes.

Z. Balzak ishte një nga të parët ndër më të mëdhenjtë, një nga më të lartët ndër më të mirët. Nuk është këtu vendi për të thënë gjithçka që përfaqësonte kjo mëndje e shkëlqyer dhe sovrane. Të gjithë librat e tij formojnë vetëm një libër, një libër të gjallë, të ndritshëm, të thellë, në të cilin mund të shohim që vjen dhe shkon, ecën dhe lëviz, nuk e di me diçka frikësuese dhe të tmerrshme të përzier me realen, i gjithë civilizimi ynë bashkëkohor; libër i mrekullueshëm të cilin poeti e ka titulluar komedi dhe që mund ta kishte titulluar me të drejtë histori, i cili merr të gjitha format dhe të gjitha stilet, i cili tejkalon Tacitin dhe që shkon deri te Suestonit, i cili përshkon Bomarshin dhe që shkon deri te Rable; libër i cili është vëzhgim por edhe imagjinatë; që vë në pah të vërtetin, intimin, borgjezin, të parëndësishmin, materialin (lëndën); dhe që herë pas here, përmes realiteteve të papritura dhe të copëtuara, papritmas zbulon idealin më të errët dhe më tragjik.

Pa dijeninë e tij, pavarësisht nëse i pëlqen apo jo, pavarësisht nëse pajtohet me të, autori i kësaj vepre të jashtëzakonshme dhe të çuditshme bën pjesë në racën e fortë të shkrimtarëve revolucionarë. Balzaku shkon drejt e në pikë. Ai e sfidon shoqërinë moderne ballë për ballë. Ai zbulon diçka tek të gjithë, disave iluzionet, të tjerëve shpresën, disave të qarat, të tjerëve maskën. Ai gjurmon vesin, analizon pasionin. Ai gërmon dhe heton njeriun, shpirtin, zemrën, brendësinë, trurin, humnerën që secili ka në vetvete. Dhe, nëpërmjet dhuntisë së natyrës së tij të lirë dhe të fuqishme, nëpërmjet privilegjit të zgjuarsive të kohës sonë që, duke parë nga afër revolucionet, shohin më mirë fundin e njerëzimit dhe kuptojnë më mirë Providencën, Balzaku del në pah i buzëqeshur dhe i qetë nga këto studime të frikshme të cilat prodhuan melankolinë te Molièri dhe mizantropinë te Rusosë.

Kjo është ajo që ai bëri mes nesh. Kjo është puna që ai na lë, një punë e lartë dhe e qëndrueshme, një grumbull i ngurtë vendesh prej graniti, një monument! Një vepër nga maja e së cilës, tashmë do të shkëlqejë fama e tij. Njerëzit e mëdhenj krijojnë piedestalin e tyre; e ardhmja kujdeset për statujën.

Vdekja e tij mpiu Parisin! Që prej disa muajsh, ai ishte kthyer në Francë. Duke e ndjerë se vdekja po afronte, ai dëshiroi të shihte sërish mëmëdheun, ashtu si një ditë para një udhëtimi të madh, kur vijmë për të puthur nënën tonë!

Jeta e tij ishte e shkurtër, por e mbushur; e mbushur më shumë me vepra sesa ditë!” /Darsiani/